Kavajë, 5 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një vizitë në komunën Synej, ku fillimisht u ndal në fshatin Bogo dhe inauguroi përfundimin e punimeve të sistemim asfaltimit të rrugës që lidh këtë fshat me Peqinajn dhe Synejin.
Më pas, Kryeministri Berisha inauguroi ujësjellësin e komunës Synej, i cili furnizon me 24 orë ujë të cilësisë shumë të mirë 7 mijë banorë të kësaj zone, si dhe bulevardin e kësaj komune, me vlerë 38 milionë lekë.
"Po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe ne kemi ndryshuar Shqipërinë, kemi ndryshuar Synejn, por Shqipëria dhe Synej kanë nevojë për ndryshime të tjera akoma edhe më të mëdha, të cilat ne do t'i bëjmë. Syneji, Kavaja dhe Shqipëria kanë nevojë që ju, të dashur qytetarë, të gëzoni ato standarde që gëzojnë edhe qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që ju kudo që jeni të keni ujë 24 orë, të keni rrugë të asfaltuara, të keni shkolla moderne, të keni pensione të njëjta me disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian" u shpreh Berisha.
"Në rast se në katër vitet që kaluan, ne dhjetëra fishuam mbështetjen për fshatin me rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, por edhe me financime për projekte bujqësore, në katër vitet që vijnë do të mbulojmë me subvencion të gjitha sipërfaqet tuaja të mbjella, do të subvencionojmë inputet tuaja, do të subvencionojmë edhe naftën. Kjo do të bëhet mbi bazën e sipërfaqeve të mbjella. Gjithashtu, ne do të financojmë çdo projekt tuajin.
Ju hartoni projektet për fermat tuaja, ndërsa ne do t'i financojmë ato" shtoi më tej Berisha.
k.k/NOA