Tiranë, 5 qershor NOA - Një adoleshent ka dështuar në përpjekjen e tij për të plaçkitur banesën e një qytetari sepse është kapur pikërisht në çastet kur edhe pak e ndanin nga "darka e mrekullueshme" që donte t'i shtronte vetes.
B.K, 17 vjeç, lindur dhe banues në Kukës, i dënuar më parë për vjedhje, është kapur rreth orës 10.30, është kapur në flagrancë në rrugën "Frederik Shiroka", në kohën që është futur nga dritarja duke tentuar të vjedhë në banesën e një qytetari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë, thanë se kryen arrestimin në flagrancë të të miturit. Ndërkohë, materialet do t'i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale të "vjedhjes" mbetur në tentativë.
***
Më herët, rreth orës 03.00, një tjetër hajdut është zbuluar në Tiranë. Altin Sejdo, 31 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar disa herë për vjedhje, është kapur në flagrancë nga Patrulla e Përgjithshme, në rrugën "Mine Peza".
I riu u gjet duke vjedhur ëmbëlsira në mjetin Furgon me targa TR 0893 P, në përdorim të një qytetari.
Edhe 31-vjeçari, pas arrestimit nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, përballet tani me akuzën për veprën penale të "vjedhjes" mbetur në tentativë.
e.l/NOA