Berat, 5 qershor NOA Update - Një deputet i Partisë Demokratike është plagosur para disa minutash në zonën e Beratit, pasi u përfshi në një aksident, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.
Mësohet se deputeti 59-vjeçar Mehmet Xheka, i zonës nr 74 në Berat, ka qenë duke u kthyer nga një miting që po zhvillonte në qytetin e Çorovodës dhe makina drejtohej nga shoferi i tij.
Ndërsa kthehej për të shkuar në Berat, makina u përfshi në aksident.
Në rrethana ende të paqarta, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe përplasur me një mur rrethues.
Që të dy kanë marrë plagë në trup dhe janë dërguar pa vonesë në spitalin e Beratit.
Burime nga ky spital i konfirmuan agjencisë së lajmeve NOA, se për një ndërhyrje mjekësore më të specializuar, deputeti Mehmet Xheka u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku gjendet jashtë rrezikut për jetën.
Policia tha se do të kryejë hetime për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident.
Ndonëse i lindur në Shkodër, Mehmet Xheka, ka kandiduar për deputet i Partisë Demokratike, në Berat ku edhe ka fituar mandatin që mbyllet më 28 qershor, në zonën nr 74.
e.l/NOA