Tiranë, 5 qershor NOA - Shtyrja e zgjedhjeve, shihet nga Lëvizja Socialiste për Integrim si një opsion i rrezikshëm, sepse "do të zgjaste e do të rëndonte akoma më shumë problemet ekonomike dhe sociale".
Ndaj LSI, sugjeron se PD dhe PS duhet të gjejnë zgjidhje urgjente, duke theksuar se është e gatshme të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjes
Pohimin e bëri sot pasdreke, zëvendëskryetari i LSI, Prof. Pëllumb Xhufi, në një dalje të posaçme për mediat.
"LSI e konsideron shtyrjen e zgjedhjeve një opsion jo të mundshëm, madje një opsion të rrezikshëm, sepse do të zgjaste dhe do të rëndonte akoma më shumë në problemet ekonomike dhe sociale dhe do të ngarkonte akoma më tutje klimën e ndezur elektorale politike në Shqipëri", - pohoi z.Xhufi.
"Lëvizja Socialiste për Integrim i bën thirrje Partisë Demokratike, por edhe Partisë Socialiste të ulen së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për situatën e krijuar, zgjidhjen më të mirë të mundshme", - ftoi Xhufi.
Ai theksoi se LSI do të miratojë çdo zgjidhje që do të arrihej për të krijuar pikërisht parakushtet që të gjithë qytetarët shqiptarë të mund të votojnë me 28 Qershor.
e.l/NOA