Tiranë, 5 qershor NOA - Kandidatja për deputete e PS, në Qarkun e Tiranës, Gerta Lubonja, doli sot para mediave, për t'u treguar shqiptarëve, siç tha, një tjetër premtim të pambajtur të Kryeministrit.
Sipas saj, Sali Berisha, premtoi se do ta kthente mbrojtjen e mjedisit në prioritet kombëtar, por pas 4 vitesh, ai dështoi sërish.
Lubonja, e ka quajtur politikë të vjetër, sulmin që njerëzit e Berishës i bëjnë posterave të Partisë Socialiste.
"Para katër vitesh Sali Berisha pa drejt e në sytë e shqiptarëve dhe u premtoi që do ta kthente mbrojtjen e mjedisit në një prioritet kombëtar: Por Berisha dështoi. Premtoi që do të dyfishonte sipërfaqen e tokës, që do të mbrohej nga qeveria. Sot që flasim, ai as që i është afruar këtij premtimi", theksoi Lubonja.
Në këtë pikë ajo tha se "më 28 qershor shqiptarët do të kenë mundësinë të kthehen drejt politikës së re për ndryshim të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste".
Lubonja vlerësoi se politika e re për ndryshim ofron shpresë dhe mundësi të reja për njerëzit tanë.
"Politika e re ofron ide të reja, qeverisje të re që mban premtimet që u bëhen njerëzve, sepse ata meritojnë më shumë. Shumë herë Berisha ka bërë premtime. Të gjitha herët ai ka dështuar. Ka ardhur koha që ai të largohet", - përfundoi Lubonja.
e.l/NOA