English

Ministri Basha pret delegacionin parazgjedhor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Tiranë, 5 qershor, NOA - Ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Lulzim Basha, priti sot delegacionin parazgjedhor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga deputetja e Vendeve të Ulëta, Corien Jonker.

Delegacioni po viziton Shqipërinë në përgjigje të ftesës që qeveria shqiptare i ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

"Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike në përputhje me standardet ndërkombëtare" u shpreh ministri Basha.

Në këtë kuadër, Ministri bëri një ekspoze të gjerë të reformës elektorale, masave të marra nga Qeveria e Shqipërisë për përfundimin e infrastrukturës së nevojshme zgjedhore, si dhe të ecurisë së procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike.

Ministri Basha përsëriti gjithashtu vullnetin e qeverisë shqiptare për të pritur numrin më të madh të vëzhguesve që kanë monitoruar zgjedhjet në Shqipëri dhe falënderoi Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për gatishmërinë e treguar për t'iu përgjigjur pozitivisht ftesës së Qeverisë.

Nga ana e tyre, anëtarët e delegacionit parlamentar informuan për vendimin e Asamblesë Parlamentare për të dërguar 20 vëzhgues, të cilët janë deputetë me përvojë në fushën e monitorimit të zgjedhjeve.

k.k/NOA

KOMENTE