English

Policia, masa të forta sigurie për ndeshjen Shqipëri-Portugali

Tiranë, 5 qershor NOA - Policia e Kryeqytetit publikoi sot disa masa, për mbarëvajtjen e zhvillimit normal të ndeshjes Shqipëri-Portugali.

Nesër më 6 qershor, ora 20.45, në stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa" Tiranë, do të zhvillohet ndeshja e shumëpritur ndërmjet ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe të Portugalisë, e vlefshme për Kampionatin Botëror të Futbollit.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, duke e vlerësuar si mjaft të rëndësishëm zhvillimin e kësaj ndeshjeje, konfirmoi se ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të këtij aktiviteti sportiv.

Kështu do të ndalohet parkimi i të gjitha automjeteve përreth stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa", Sheshi "Italia", Sheshi "Nënë Tereza" duke filluar nga ora 08.00' e ditës së nesërme deri në përfundim të këtij aktiviteti.

Po ashtu, nga ora 14.00 deri në përfundim të ndeshjes, të datës 06.06.2009, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në rrugët që të dërgojnë në stadium ashtu dhe përreth tij, si : rrugën "Lek Dukagjini" dhe "Dervish Hima" në kryqëzimin me rrugën "Asim Zeneli".

Ndërkohë, gjatë hyrjes së sportdashësve në stadium, nga ana e policisë do të ushtrohet kontroll i imtësishëm në drejtim të parandalimit të futjes në stadium nga tifozët, të sendeve të ndaluara si:

(Mjete e sende të forta, fishekzjarrë, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parulla me mbishkrime jo të përshtatshme)

Policia e Tiranës, duke kërkuar dhe njëherë mirëkuptimin e publikut, tha se u kujton sportdashësve dhe pjesëmarrësve në këtë aktivitet, respektimin me rigorozitet të rregullave të vendosura dhe kodit të sjelljes si para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit sportiv.

a.k/NOA

KOMENTE