English

Projektet e mëdha, kërkojnë përkushtim të madh

Ekziston një paralele në mes të rrugës e përpjekjeve për ndërtimin e saj dhe të projektit të bashkimit kombëtar. Njësoj, për bashkimin kombëtar thuhet se është projekt i parealizueshëm, se është projekt në të cilin nuk ia vlen të investohet, se bota është kundër tij etj. Njësoj sikur rruga, projekti i bashkimit kombëtar ka nevojë për përkushtimin tonë, për punën tonë, për dijen tonë, për ndershmërinë tonë, për ta dëshmuar se është opsioni më real dhe më racional në aspektin ekonomik dhe politik, se është opsioni më paqësor në aspektin e sigurisë në rajon

Për agjencinë e lajmeve NOA

Nga Valon Murati

1.

Këto ditë një mik imi gjakovar më tregoi për lidhjet e fuqishme që kanë ndodhur në vitet e fundit në mes të Gjakovës dhe të Bajram Currit, përkatësisht të malësisë së Gjakovës të njohur edhe si Tropojë. Ndonëse menjëherë pas luftës dukej se komunikimi do të ishte i vështirë, procesi i rinjohjes dhe i vendosjes së lidhjeve, pas vështirësive fillestare ka hyrë në binarë normalë. Sot - më tha miku im - po qe se do të mbyllej kufiri, ekonomia e Gjakovës do të kishte një rënie prej 30%. Banorët e Tropojës tregtinë dhe jetën ekonomike e kanë të orientuar me Gjakovën, por jo vetëm aq. Edhe një pjesë e arsimimit, shëndetësisë dhe e punës së çdoditshme është e orientuar në këtë qytet. Por edhe gjakovarët, përveç interesit të fitimit nga ky bashkëpunim, një pjesë të pushimeve për fundjavë i kalojnë në viset piktoreske pranë Valbonës, e madje një pjesë e tyre edhe kanë filluar të punojnë në restorantet që kanë filluar të mbijnë në këtë zonë, zonë e cila viteve të fundit ka bërë përparim të madh në fushën e sigurisë. Ne jemi të lidhur sot me Bajram Currin më shumë se me çdo qytet të Kosovës - më tha në fund të këtij rrëfimi miku im. Njësoj situata mund të paraqitet edhe në Prizren, ku sot gati se nuk mund të paramendohet një funksionim i Prizrenit si ekonomi dhe si qendër e rëndësishme kulturore pa Kukësin dhe rrethinat e tij. Në fund të fundit, në kohën kur i tërë përqendrimi i administratës, universiteteve dhe zhvillimit ekonomik është orientuar drejt Prishtinës, kjo situatë është shpëtim për këto komuna të Kosovës. Në këtë kontekst fillimi i funksionimit të rrugës Durrës-Kukës do të jetë jo vetëm një arterie e rëndësishme për Republikën e Shqipërisë, por do të ketë një ndikim të madh edhe në kthimin e Prizrenit, Gjakovës, e pse jo edhe të Pejës, në qendra të rëndësishme ku do të frekuentojë pjesa veriore e shtetit shqiptar, e izoluar në mënyrë të dhunshme pas ndarjes së Kosovës prej tij dhe këputjes së lidhjeve natyrore ekonomike e njerëzore që ajo i ka pasur me këtë pjesë. Të mos harrojmë se shndërrimi i Kukësit dhe Bajram Currit në qytete nga shteti shqiptar, erdhi si pasojë e mbetjes së Prizrenit dhe Gjakovës këtej kufirit të dhunshëm.

2.

Rruga Durrës-Kukës e cila po ndërtohet në Republikën e Shqipërisë përveçqë është vepra më e madhe publike e ndërtuar nga shteti shqiptar, do ta ketë edhe një ndikim të madh për botën shqiptare në shumë drejtime. Madje, kam përshtypjen se sot për sot efektet e kësaj rruge, si në planin politik, ekonomik dhe atë kulturor, është vështirë të paramendohen në tërë dimensionet e veta. Kjo rrugë do ta ketë një ndikim të madh në rritjen e komunikimeve shqiptare, duke rritur kohezionin kombëtar të shqiptarëve. Kjo do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit në fushën e kulturës, arsimit, medieve etj. Të gjitha këto janë jashtëzakonisht të rëndësishme për funksionimin e kombit shqiptar në tërësinë e vet si një. Por mbi të gjitha ndikimi i kësaj rruge do të ndihet në një fushë shumë të rëndësishme të jetës: në fushën ekonomike. Rritja e shkëmbimeve tregtare në mes të Prishtinës dhe Tiranës do të rritet ndjeshëm, duke i krijuar mundësitë për një fuqizim gradual të prodhuesve tanë. Kosova do të bëhet me dalje në det dhe kjo do t'ia lehtësojë jashtëzakonisht shumë shkëmbimet tregtare me vendet e tjera përmes transportit detar. Dalja në det dhe lidhja më e fuqishme me ekonominë e Republikës së Shqipërisë gradualisht do të zhvendosë edhe balancat tregtare të Kosovës, që anojnë nga Serbia dhe Maqedonia në drejtim të Shqipërisë, Italisë dhe vendeve të tjera, të cilat na afrohen jashtëzakonisht shumë pas ndërtimit të këtij korridori rrugor. Fuqizimi i turizmit detar e malor, veror e dimëror do ta ketë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik si të Republikës së Shqipërisë, po ashtu (gradualisht) edhe në atë të Kosovës. Kjo situatë e re e komunikimeve dhe rritjeve të interesave të përbashkët ekonomike (të mos harrojmë se shteti shqiptar përmes ndërtimit të Rrugës së Arbërit - për në Dibër - dhe rrugëve të tjera që e lidhin atë me shqiptarët jashtë kufijve përbën një hap të fuqishëm drejt afrimit jo vetëm me Kosovën), domosdo do t'i përshpejtojë hapat për krijimin e tregut të përbashkët dhe më pas edhe të krejt ekonomisë unike shqiptare. Kjo situatë do të ketë efekte të ndjeshme edhe në krijimin e balancave të reja gjeostrategjike në Ballkan, duke krijuar mundësi për t'i fuqizuar shqiptarët, dhe duke e balancuar potencialin e tyre gradualisht me atë të fqinjëve të tyre. Madje-madje, kjo rrugë, përveç ndikimit të saj në integrimin dhe bashkimin e kombit në tërësinë e tij në Ballkan, do ta ketë një rëndësi të madhe për rritjen e komunikimeve edhe brenda vetë shtetit shqiptar. Me infrastrukturën e dobët rrugore, komunikimi në mes të jugut dhe të veriut të izoluar nuk ka qenë në nivelin e duhur. Kjo rrugë do t'i zbusë edhe diferencat ekonomike brenda vetë shtetit shqiptar, por edhe diferencat e tjera që kanë mundur të lindin nga vështirësitë në komunikim brenda tërë kombit. Transporti, mjetet e komunikacionit dhe infrastruktura rrugore kanë lozur një rol të fuqishëm në krijimin e ekonomisë kombëtare dhe kjo pastaj në krijimin e kombeve moderne. Andaj, nuk ka si të jetë ndryshe as tek ne, përkundër veçantive që ka pasur komb-formimi ndër shqiptarët. Duke qenë se ekonomia e përbashkët është një faktor i rëndësishëm i funksionimit të kombeve moderne, me ndërtimin e rrugës po krijohen kushtet për vendosjen e bazave të një ekonomie të përbashkët, e cila do ta rrumbullakonte në fund procesin e bashkimit kombëtar, si hapi i fundit i farkëtimit të kombit modern shqiptar. Ekonomia e përbashkët, e ndihmuar nga rritjet në komunikimin ndër-shqiptar në të gjitha drejtimet, duke u nisur nga ai njerëzor, kulturor, arsimor, shkencor, sportiv etj, do ta shtrojë rrugën edhe për krijimin e entitetit politik të përbashkët të shqiptarëve.

3.

Për rrugën janë thurur mite, se ajo nuk mund të realizohet, se shqiptarët nuk kanë kapacitete financiare për ta rrumbullakuar, se nuk kanë guxim t'i hyjnë një projekti aq të kushtueshëm, se interesat greke nuk do ta lejojnë një gjë të tillë, se rezistenca e një pjese të faktorëve ndërkombëtarë me ndikim është shumë e madhe për shkak se rruga konsiderohet projekt politik etj. Në vitin 2004 kam qenë vetë dëshmitar kur në një ligjëratë publike në Sarajevë, z.Erhard Busek, atëherë koordinator i Paktit të Stabilitetit, e përqeshte idenë e rrugës Durrës-Kukës, duke thënë se shqiptarët po kërkojnë ndihmë për ta ndërtuar atë rrugë, por kush do të udhëtojë në të, çfarë rëndësie ka ajo, çfarë përfitimesh materiale ka nga ajo. Duke mos e amnistuar palën shqiptare, e cila ka mundur të ketë mungesa në mënyrën e paraqitjes së projektit, ky qëndrim i Busekut dëshmon për një atmosferë jo të mirë nga ana e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për ta ndihmuar ndërtimin e rrugës. Sidoqoftë, shteti shqiptar, që pas krijimit të kushteve politike në Kosovë, pas vitit 1999, e vuri në agjendë ndërtimin e kësaj rruge. Meritë e madhe për aktualizimin e idesë dhe për përpjekjet për ta filluar atë i takon ish-kryeministrit socialist Pandeli Majko, i cili i dha jetë kësaj ideje (edhe përmes përpjekjeve konkrete, si Taksa Majko, pastaj si ministër i mbrojtjes filloi t'i hapë disa shtigje përmes ndihmës së ushtrisë etj.). Sidoqoftë, vulën projektit ia dha kryeministri aktual demokrat, z. Sali Berisha, i cili me një vendosmëri të pashoqe i hyri këtij projekti, ndonëse pakkush ka besuar se në kohë rekorde do t'i afrojë aq shumë punët rreth mbarimit të saj. Qeveria shqiptare me një vendosmëri të pashoqe u bëri ballë të gjitha presioneve ndërkombëtare rreth rrugës, tërë zërave skeptikë të brendshëm e të jashtëm dhe iu fut realizimit të projektit me forca vetjake. Normalisht, duke dëshmuar sovranitet dhe vendosmëri u thyen edhe shumë nga kundërshtimet dhe bankat greke, në stilin kur nuk mund ta mundësh bashkëngjitu, ishin të parat që ofruan kredi për rrugën, në mënyrë që në këtë projekt madhor edhe ato të fitojnë diçka. Nuk ka dyshim se ky projekt i madh u shoqërua edhe me debate të nxehta për keqpërdorime e keq-menaxhim; madje çështja e keq-menaxhimit u bë edhe çështje e gjyqësorit. Sidoqoftë, emëruesi i përbashkët rreth së cilës në Tiranë ka pasur konsensus ka qenë se rruga duhet të bëhet. Keqpërdorimi i kësaj rruge në fushatën aktuale zgjedhore, si nga ana e pozitës, ashtu edhe opozitës, nuk po i jep shije të mirë kësaj fushate. Sidoqoftë, në luftën e fortë për pushtet që po zhvillohet në Tiranë, vështirë ka qenë edhe të bëhet ndryshe. Siç u komentua gjerësisht në Tiranë këto ditë, pozitës aktuale do t'i bënte më mirë edhe në planin elektoral shfrytëzimi i ndërtimit të rrugës më me modesti. Por rruga po bëhet. Dhe pjesa tjetër do t'i takojë së ardhmes, duke përfshirë këtu përfitimet e kombit, përfitimet e tërë rajonit pas krijimit të kushteve të relaksim politik në të ardhmen, por edhe të pjesës së përgjegjësisë penale nëse ka pasur shkelje dhe përfitime të paligjshme gjatë ndërtimit të rrugës. Në të vërtetë, unë po dua ta bëj një paralele në mes të rrugës e përpjekjeve për ndërtimin e saj dhe të projektit të bashkimit kombëtar. Njësoj, për bashkimin kombëtar thuhet se është projekt i parealizueshëm, se është projekt në të cilin nuk ia vlen të investohet, se bota është kundër tij etj. Njësoj sikur rruga, projekti i bashkimit kombëtar ka nevojë për përkushtimin tonë, për punën tonë, për dijen tonë, për ndershmërinë tonë, për ta dëshmuar se është opsioni më real dhe më racional në aspektin ekonomik dhe politik, se është opsioni më paqësor në aspektin e sigurisë në rajon. Atëherë nuk është vështirë për t'i bindur edhe miqtë ndërkombëtarë, edhe fqinjët tanë, se ky projekt nuk është kundër askujt, por në të vërtetë është në të mirën e të gjithëve. Bashkësisë ndërkombëtare duhet t'i bëhet me dije se paqja, stabiliteti dhe prosperiteti arrihet vështirë me shtete eksperimentale jorentabile. Me krijimin e shteteve stabile kombëtare në Ballkan do të hiqej dorë nga ky lloj shtetesh, kulmi i të cilave është Kosova ahtisariane, shtete të cilat janë në të vërtetë shumë të kushtueshme për të gjithë popujt e Ballkanit. Por ato janë të kushtueshme edhe për ndërkombëtarët, posaçërisht për BE-në, e cila duhet të investojë në mirëqenien e tyre, sepse përpiqet të investojë në stabilitetin e vet, por në të vërtetë investon në projekte që në të vërtetë janë e kundërta e stabilitetit dhe paqes së vërtetë. Në një realitet të ri edhe rruga, përveç urë lidhëse në mes të shqiptarëve, do të jetë një urë miqësie në mes të popujve të Ballkanit. Në ato rrethana, nuk do të jetë kurrfarë çudie, që serbët dhe Serbia njëkohësisht të jenë përfitues të mëdhenj të kësaj rruge edhe ekonomikisht, por edhe duke shfrytëzuar resurset turistike të bregdetit shqiptar.

Prishtinë, 5.6.2009

KOMENTE