Gjirokastër, 5 qershor NOA - Kandidatja për deputete në listën e PS në Qarkun e Gjirokastrës Elvira Shapllo, ka zhvilluar një takim elektoral me banorët e lagjes "Zinxhira" në qytetin e Gjirokastrës.
Zonja Shapllo shoqërohej në këtë takim nga drejtues lokal socialistë. Kandidatja për deputete një prej figurave intelektuale dhe akademike në Gjirokastër, ka vlerësuar rëndësinë e zgjedhjeve të 28 qershorit si një shans që nuk duhet të humbet nga zgjedhësit pasi varet integrimi i Shqipërisë në familjen e madhe evropiane.
"Jemi këtu për t'ju paraqitur programin qeverisës të PS program i cili mbështetet në pikat më të rëndësishme për qëndrueshmëri dhe zhvillim të vendit dhe komunitetit-i është drejtuar zonja Shapllo banorëve të kësaj lagjeje.
Kandidatja për deputete e PS në Qarkun e Gjirokastrës, ka kërkuar votën banorëve të lagjes "Zinxhira" në këtë takim elektoral pasi në këtë mënyrë vota për PS është votë e integrimit, mirëqenies dhe normalizimit të jetës për të gjithë shqiptarët.
Çdo votë për koalicionin e drejtuar nga PS dhe sidomos çdo votë për subjektin tonë politik, është një garanci më tepër për të ecur të sigurt përpara në integrimin e vendit në BE-është shprehur Shapllo.
E rëndësishme, shtoi kandidatja për deputete e PS në Gjirokastër Elvira Shapllo, - është pjesëmarrja në votime e të gjithë njerëzve për të sjellë ndryshimin e shumëpritur nga të gjithë.
Kjo sipas saj, sepse në këto kushte ku vendi ndodhet i kapur nga korrupsioni qeveritar dhe familjar i kryeministrit, vota kundër kësaj qeveri është votë për të sjellë një qeveri normale që t'i shërbejë komunitetit.
Fitorja e sa më tepër deputetëve të koalicionit të drejtuar nga PS në Qarkun e Gjirokastrës, do të jetë një garanci për investime në zonën tonë çka do të pasohet me punësimin e njerëzve të cilët numërohen sot në masën 40% të forcës aktive në qytetin e Gjirokastrës, - është shprehur zonja Shapllo.
Banorët e lagjes "Zinxhira" si një prej lagjeve që kanë mbështetur fuqishëm me votë PS në të gjitha përballjet zgjedhore, kanë premtuar se votat do të përqendrohen tërësisht në favor të PS dhe koalicionit të kryesuar nga ajo.
v.d/NOA