Nga Ibrahim Rexhepi
Posta dhe Telekomi i Kosovës kërkon që në fund të vitit të ketë disa miliona më shumë të hyra nga interesi i parave që mban në bankat komerciale të Kosovës. Kërkesa e saj është e arsyeshme. Ajo shikon interesin e vet, pa u futur shumë në ndikimet që mund të ketë në sistemin bankar, përkatësisht në koston e qarkullimit të parasë në Kosovë.
Së paku, ajo nuk e ka për obligim që të ruajë stabilitetin e këtij sistemi, duke dëmtuar vetveten. Ndonëse, asnjëherë nuk duhet harruar se ajo është kompani publike dhe ka një përgjegjësi edhe ndaj komunitetit, i cili është edhe depozitues, apo kredimarrës i bankave. Mirëpo, e nxitur nga fakti se bankat paratë e kësaj kompanie, apo të depozituesve të tjerë i shesin me çmim të lartë, atëherë, me të drejtë kërkon hisen e vet.
Nëse bankat duan të jenë më atraktive, atëherë mund të ulin kamatat në kredi, që do të thotë të zvogëlojnë fitimin. Por, këtë nuk pranojnë aksionarët, të cilët në fund kërkojnë dividendë sa më të madh. Mirëpo, as rrethanat globale nuk i janë në të mirë të bankave.
Ende ka strese dhe falimentime nga kriza, e cila nisi pikërisht nga kalkulimet e gabueshme për kreditë hipotekare dhe u shtri në tërë ekonominë. Sado që ende flitet se Kosova është imune ndaj këtyre lëvizjeve shkatërruese, megjithatë, kjo thuhet vetëm sa për të ngushëlluar ata që kanë paratë në banka. Çdo gabim edhe këtu mund të kushtojë shtrenjtë. Megjithatë, bankat nuk janë keq. Ato më shumë frikësohen sesa që vërtet ndodhen buzë rrezikut. Për këtë arsye, edhe kërkesa e PTK-së merret me shqetësim, e jo pse ajo do të sjellë buzë humnerës ndonjërën nga bankat komerciale.
Faktet flasin. Për tetë vjet, që nga viti 2000, depozita janë rritur 23 për qind, ndërkaq kreditë gati se janë trefishuar, mirëpo ato nuk kanë kaluar shumën e parave që mbajnë bankat. Shpërputhja ka ndodhur për shkak të interesit të madh që kanë përfituar ato dhe sigurisë ne kreditimin e ekonomisë dhe të individëve. Kjo situatë ua mundësoi bankave që në fund të vitit të kaluar, krahasuar më vitin 2004, të raportojnë për të hyra 163 për qind më të larta, për dyfishim të të hyrave nga kamatat, gati trefishim të fitimit të pastër dhe norma e kthimit në kapital të aksionarëve u rrit 26 për qind.Â
Por, në këtë periudhë kohore nuk ka ndodhur ndonjë lëvizje e madhe e kamatave. Mesatarja e interesit në depozita është rritur 1.37 pikë të përqindjes, ndërsa interesi në depozita ka rënë vetëm 0.43 pikë të përqindjes. Ky dallim, sado i vogël në dukje, del i madh kur merret parasë se në qarkullim janë miliarda euro. Edhe sipas një raporti të BERZH-it del se bankat në Kosovë, krahasuar me ato të rajonit, paguajnë më pak për depozita, me përjashtim të Kroacisë dhe kanë kreditë më të shtrenjta në rajon. Për krahasim, mesatarja e interesit sillet deri në 14 për qind, kurse në Mal të Zi ajo është 9,2 për qind.
Kjo krejt ndodh në kohën kur pjesëmarrja e kredive të këqija është më e vogël, krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. Me një fjalë, bankat në Kosovë janë në pozitë shumë më të volitshme dhe ato kanë diktuar kushtet. Madje, edhe nëse ka qenë në pyetje individi, apo biznesi që ka dashur t'u japë para atyre.
Thënë më konkretisht, ato kanë pasur një monopol, sado që ai në dukje nuk ka qenë aq i qartë. Aty nuk ka mundur të ndërhyjë asnjë mekanizëm, qoftë autoriteti qendror bankar, apo qeveria. Është respektuar liria e tregut, të cilën e kanë paguar kredimarrësit. Madje, dikur, për mungesë të konkurrencës kanë paguar bukur shumë edhe ata që kanë pasur nevojë të transferojnë para nga një vend në tjetrin, apo prej njërës bankë te tjetra.Â
Por, si duket loja tash po prishet. Jo për shkak të krijim të mekanizmit për kontrollimin e sistemit monetar, pasi që këtë autorizim nuk e ka as Banka Qendrore e Kosovës, por pse depozituesit po marrin guxim dhe kërkojnë kushte.
Këtë e tregon rasti i PTK-së. Mirëpo, në lojë kanë hyrë edhe disa banka të reja, të cilat ende janë në fazën e zhvillimit dhe të investimeve, të cilat janë shuam agresive në treg. Ato po instalojnë metodën e negocimit të kushteve, posaçërisht kur janë në pyetje depozitat. Klienti sa më i pasur që të jetë, aq më i fuqishëm është në raport me bankën.
Prandaj, edhe normat e interesit që i bëjnë publike këto institucione nuk janë statike. Ato ndryshojnë varësisht nga interesi dhe disponimi.Â
Megjithatë, kur është në pyetje kapitali, edhe siguria e tij është faktor shumë i rëndësishëm. Ku është rreziku i madh edhe fitimi është i lartë. Ilustrim më i mirë janë skemat piramidale, të cilat në Shqipëri u shembën në vitin 1997.
Përmes tyre u plaçkitën qindra miliona dollarë, që kryesisht u bartën jashtë vendit, shumë njerëz humbën tërë pasurinë e tyre, ndërsa shteti u fut në një kaos, i cili për pak sa nuk përfundoi me një luftë civile.
Apo, rasti më i ri, ai i miliarderit nga Wall Strett, Bernie Madoff, i cili në piramidën e tij kishte futur kompani dhe individë të njohur në botën e biznesit. Por, të dyja rastet kishin fundin tragjik, posaçërisht për ata që dhanë paratë. Sudja, "Vefa", "Xhaferi" dhe Madoff ishin atraktivë për shkak se paguan interes më të lartë se bankat e tjera. Janë raste që tregojnë se duhet pasur kujdes kur përfitimet janë më atraktive se ato që zakonisht ofron tregu.
Sado që në Kosovë nuk janë përsëritur raste të ngjashme, pos në tregun fajdeve, janë lëvizjet që ndodhin në lëmin e kamatave nuk janë sinjal i mirë. Së pari, bankat që kanë hetuar se depozituesi kosovarë më shumë interesohet për përfitimet, e më pak për sigurinë, pothuajse përmbushin të gjitha kërkesat e tyre.
Ato në fillim mund të jenë edhe atraktive për huamarrja, por fuqia e tyre do të vërehet në momentin kur fillojnë të veprojnë pa u mbështetur aq shumë në bankën mëmë. Së dyti, kamatat e larta në depozita paralajmërojnë edhe koston e lartë të kredive. Mrekullia do të ishte nëse fillon të ngushtohet ndryshimi ndërmjet normave të interesit. Mirëpo, në rrethanat aktuale ekonomike dhe kur e tërë bota është në ankth ka mundësi të lëkundet likuiditeti dhe siguria e bankave.
Gjendja në banka nuk guxon të lidhet ngushtë me ata 200 milionë euro që aty i mbanë PTK-ja. Kjo sasi e parave bartë elemente të keqmenaxhimit dhe të ngecjes së zhvillimit të kompanisë. Ato janë krijuar në kohën e monopolit.
Futja e konkurrencës solli rënien e të hyrave. Prandaj, PTK është dashur të korrigjojë çmimet, që të stopojë fundosjen. Për këtë arsye, këto para duhet të futen në qarkullim, qoftë edhe duke ia huazuar qeverisë për investime publike, ashtu që ato të mos mbeten mall me të cilin tregtojnë bankarët. Ndërkaq, stabiliteti i sistemit bankar dhe kontrollimi i normave të interesit mund të bëhet me paratë e privatizimit dhe me kursimet pensionale.
Agjencioni Kosovar i Privatizimit dhe Trusti i Kursimeve Pensionale, të cilat mbikëqyren nga institucionet vendore, paratë që kanë duhet t'i distribuojnë përmes tenderit, ku imponojnë kushtet e sigurisë dhe për kthimin investimeve. Në këtë mënyrë, bankave iu ndalet vrapi pas depozituesve të pasur, duke iu ofruar kushte çfarëdo që dëshirojnë ata. Njësoj si vepruan Sudja e Madoff.Â
Marrë nga "Express", Prishtinë