English

Serbët protestojnë kundër doganave: "Kosova pjesë e Serbisë, ato s'duhen"

Mitrovicë, 5 qershor, NOA - Banorët dhe sipërmarrësit serbë të Leposaviçit dhe Zubin Potokut kundërshtojnë kontrollimin e hyrjes së mallrave dhe dokumentacionit në pikat doganore në kufirin në mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo është arsyeja e protestave të tyre dje dhe sot, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Besim Hoti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës, tha se protestat kanë zgjatur rreth gjysmë ore dhe kanë përfunduar të qeta. "Protesta në Leposaviç dhe në Zubin Potok ka të bëjë kryesisht me kundërshtimin e banorëve serbë me fillimin e procesit të komponentit të EULEX-it për kontrollimin e mallrave dhe dokumentacioneve në pikat doganore Kosovë-Serbi, të cilat hyjnë përmes pikave kufitare 1 dhe 31, përkatësisht pikave në Leposaviq dhe Zubin Potok". "Ky ishte qëllimi i kësaj proteste, për të kundërshtuar këtë rifillim të procesit; thjesht thënë, në kundërshtim të rivendosjes së këtyre pikave doganore sërish", tha zëdhënësi i policisë, Hoti. Përfaqësuesi i tyre, Rade Utviç, ka thënë se veprimet e EULEX-it në dogana janë të dëmshme për ekonominë e veriut të Kosovës dhe popullatën serbe që jeton aty.

Veprimet e EULEX-it, ai i ka vlerësuar se kanë dimension politik, për shkak të vënies së doganave në mes Kosovës dhe Serbisë."Ne tashmë ia kemi sqaruar EULEX-it se kjo është çështje e dëmshme ekonomikisht për veriun e Kosovës dhe për gjithë popullin serb në Kosovë. Por, ka edhe dimensionin politik, për shkak se populli i këtij rajoni nuk e pranon doganën dhe procedurat doganore në mes të Serbisë dhe Kosovës, sepse ne konsiderojmë edhe më tutje se Kosova është pjesë e territorit të Serbisë", tha Utviç. Ai shtoi se lidhur me këtë çështje, serbët kërkojnë një zgjidhje kompromisi, e cila do të ishte e pranueshme për EULEX-in, për bashkësinë serbe në Kosovë dhe për Republikën e Serbisë.

Në anën tjetër, Naim Huruglica, drejtor i Doganave të Kosovës, thotë se pas vendosjes së EULEX-it në dy pikat kufitare në veriun e Kosovës, puna është duke u avancuar në vazhdimësi. Sipas tij, është duke u bërë evidentimi i plotë i dërgesave në bashkëpunim me Doganat e Kosovës, të cilat ndonëse nuk janë prezente në mënyrë direkte në pikat doganore 1 dhe 31, përmes ekipeve mobile lëvizëse janë prezente në rajon."Me ekipet tona lëvizëse mobile, ne kemi arritur ta zvogëlojmë nivelin e kontrabandës deri në masën 80 për qind prej asaj që ka qenë, ta zëmë, një vjet përpara. Doganat, dhe unë shpresoj se edhe policia, ishte dashur të kthehen shumë shpejt në ato dy pika". "Tani nuk ekziston më ndonjë problem, si të them, praktik ose logjistik. Janë bërë ato investimet e duhura për përmirësimin e kushteve të punës. Tash është çështje e vlerësimit të komponentit të sigurisë se kur mundemi faktikisht të kalojmë dhe të fillojmë të bëjmë inkasimin", theksoi Huruglica. Sidoqoftë, zoti Huruglica shtoi se vlerësimet lidhur me kontrabandën e mundshme, janë bërë në bazë të të dhënave që posedojnë Doganat e Kosovës, por ende është vështirë që të bëhet ndonjë vlerësim i saktë, përderisa Doganat e Kosovës nuk janë prezente fizikisht në dy pikat doganore në veriun e Kosovës.

NOA-INA

KOMENTE