English

Thaçi: Anëtarësimi në Bankën Botërore, mbështetje edhe politike për Kosovën

Prishtinë, 5 qershor NOA - "Anëtarësimi në Bankën Botërore, mbështetje ekonomike, politike dhe diplomatike për Kosovën", - tha sot kryeministri Thaçi në mbledhjen e 67-të të qeverisë.

Me këtë rast z. Thaçi, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka falënderuar miqtë ndërkombëtarë për mbështetjen dhe përkrahjen e pa rezervë, që i kanë dhënë Republikës së Kosovës me rastin e anëtarësimit në Bankën Botërore dhe ditë më parë anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtarë.

"Është kjo mbështetje ekonomike, politike dhe diplomatike që do t'i duhet Kosovës edhe në të ardhmen" theksoi z. Thaçi.

Kryeministri, anëtarësimin në institucionet financiare ndërkombëtare e vlerësoi para së gjithash edhe si rezultat i punës së mirë në Kosovë.

Ndërsa, sa i përket njohjes, kryeministri Thaçi tha se procesi i lobimit për njohjen e Republikës së Kosovës do të vazhdojë në të gjitha qendrat e vendosjes.

Thaçi ka vlerësuar shumë lartë edhe raportin e "Transparency Internacional" për Kosovën.

"Kjo agjenci e ka radhitur Kosovën të fundit në rajon për shkallën e ultë të korrupsionit", ka thënë kryeministri Thaçi duke shtuar se ky është rezultat i punës së mirë të institucioneve, i qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe luftës së pa kompromis kundër dukurive negative. Kjo është një mirënjohje për angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës por edhe obligim që të punojmë edhe më mirë në të ardhmen, ka theksuar Thaçi.

Kryeministri po ashtu, ka përshëndetur edhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Mbledhja dhe vendimet

Duke proceduar sipas rendit të ditës, Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka marrë vendim për zgjerimin e Strategjisë Legjislative për vitin 2009.

Sipas propozimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Strategjinë Legjislative të vitit 2009 do të përfshihet Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Teatër.

Po ashtu Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar që në Strategjinë Legjislative të vitit 2009 të përfshihen: Projektligji për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Projektligji për Zbatimin e Sanksioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Nevoja e përfshirjes së këtyre projektligjeve në Strategji Legjislative, u tha në mbledhje është para së gjithash për shkak se Republika e Kosovës duhet të intensifikojë marrëdhëniet me vendet dhe organizatat ndërkombëtare në fushën e traktateve .

Strategjisë legjislative të vitit 2009 do ti shtohen edhe dy projektligje të Ministrisë së Drejtësisë. Bëhet fjalë për Projektligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit penal për të mitur.

Qeveria sot ka miratuar edhe Projektligjin për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit propozuar nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Qëllimi i këtij projektligji është krijimi i kushteve të volitshme për banim të qëndrueshëm për familjet me gjendje ekonomike jo të mirë. Vlerësohet se kostoja shtesë për Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor do të jetë afër 2 milionë euro në vit, dhe po aq vlerësohet të jetë edhe për komuna.

Po sot, Qeveria ka marrë vendim për ngritjen e një komisioni qeveritar për vlerësimin e dëmeve nga breshëri në komunën e Gjilanit.

Në bazë të vlerësimeve të këtij komisioni Qeveria do të ndihmojë në zbutjen e dëmit sidomos të shtëpive të banimit në rajonin e Gjilanit.

a.b/NOA

Â

Â

KOMENTE