English

Tre tregtarë arrestohen nga policia, pasi nuk deklaruan mallin në doganë

Tiranë, 5 qershor NOA - Antikrimi ekonomik-financiar i policisë së kryeqytetit çon në qeli tre persona pasi akuzohen pë veprën penale të "Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë", ndërsa hetohen në gjendje të lirë për shpërdorim detyre, dy punonjës në Doganën e Aeroportit.

Pas hetimeve që zgjatën tre muaj, policia e Tiranës ka mundur të kap dje me "presh në duar", 35-vjeçarin Albert Daçi, 52-vjeçarin Dedë Gjonaj dhe 59-vjeçarin Sinan Doku.

Policia organizoi një operacion të koduar "Blu xhins" i cili u finalizua me kapjen e tre personave te mbikalimi në Qafë Kashar, pasi gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në automjetet e tyre u gjendën të ngarkuara mallra të dyshuara se mund të kenë hyrë kontrabandë, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Rinas.

Materialet hetimore në ngarkim të të tyre ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë". Ndërkohë, që policia ka çuar për ndjekje penal në gjendje të lirë, për veprën penale të "Shpërdorimit të detyrës", dy punonjës turni në Doganën e Aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza".

Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se tre të arrestuarve ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale 500 palë xhinse të llojeve të ndryshme, 500 copë bluza të llojeve të ndryshme, 400 copë fustane të llojeve të ndryshme, 60 copë kostume femrash të llojeve të ndryshme, 20 copë xhaketa të llojeve të ndryshme, si dhe 20 copë funde të llojeve të ndryshme.

Mallrat e sekuestruara, vinin nëpërmjet Aeroportit të Rinasit nga Turqia, me destinacion tregun Industrial, në rrugën "5 Maji" Tiranë.

k.k/NOA

KOMENTE