Rio de Zhanejro 6 Qershor NOA Update - Dy trupa njerëzish dhe mbetje të avionit Airbus 330 që i përkasin fluturimit fatal 447 nga Rio de Zhanejro në Paris, u gjetën para pak orësh, konfirmoi Aeronautika Brazialiane.
Ajo komunikoi zyrtarisht se "ekipet braziliane të kërkimit gjetën disa trupa, dy të konfirmuar si viktima meshkuj, të Airbus 330 të linjës ajrore Air France, që i përkasin fluturimit nr 447 i cili ditën e Hënë në mëngjes, precipitoi duke rënë në Oqeanin Atlantik me 228 persona në bord".
Marco Tulio Moreno, familjar i një pasagjeri të fluturimit fatal, i tha "GloboNews" në Brazil se ishte informuar zyrtarisht nga autoritetet.
Koloneli Jorge Amaral, zëdhënës i Aeronautikës Brazialiane, tha se "bashkë me trupat e dy meshkujve, u gjet dhe një biletë aeroplani e linjës Air France, që shërbeu si provë se bëhet fjalë për fluturimin deri vonë mister, një valixhe lëkure dhe një çantë shpine".
Mësohet se valixhja e lëkurës kishte brenda një kompjuter portabël dhe pranë tij u gjet edhe një maskë oksigjeni.
Zbulimi erdhi rreth 400 kilometra në verilindje të ishujve të arkipelagut Fernando de Noronha të bregut verior të Brazilit, konfirmoi z.Amaral
Koloneli Amaral, tha se u gjet edhe një sedilje e kaltër, me numër serie 237011038331-0. Amoral shtoi se ekspertët po verifikojnë nëse i përket avionit të fluturimit fatal.
"Mbi të gjitha, në kërkimet tona synonim të gjenim të mbijetuar por fatkeqësisht, kjo nuk ishte e mundur", - theksoi koloneli Jorge Amaral.
Zëdhënësi deklaroi për gazetarët në qytetin verilindor Recife edhe se po vazhdojnë kërkimet dhe po zbardhen informacione të tjera lidhur me mbetjet e avionit, kurse për shkaqe hetimore, refuzoi të evidentojë lokalitetin ujor të gjetjes së trupave.
Nga konkluzionet ende paraprake, besohet se të 228 pasagjerët ku përfshihej ekuipazhi u bënë objekt të një aksidenti, i cili mendohet të ketë ndodhur kur sistemet e Airbus 330 dështuar së funksionuari, gjatë një stuhie të ashpër, rreth katër orë pasi kishin nisur fluturimin.
a.k/NOA
Â