English

Korrektesa e tepërt, si e shpëtoi gjermanin: Do të isha viktima i 229-të i fluturimit 447

Gjermani, 6 qershor NOA Foto update - Jetëgjati nuk bëhet kurrë jetëshkurtër. Një 39-vjeçar nga Gjermania, ishte destinuar për të jetuar gjatë, fati i të cilit nuk e ka "lejuar" të udhëtojë me avionin e katastrofës megjithëse ai kishte rezervuar biletën për të qenë bashkë me 228 personat e tjerë që përfunduan në oqeanin e Atlantikut.

Ka qenë vetë gjermani i cili ka treguar se kishte rezervuar një biletë për të udhëtuar drejt Parisit me avionin e Air France që u rrëzua në Atlantik, por kishte mbërritur më herët në aeroportin e Rio de Zhaneiros, ndaj dhe udhëtoi me një tjetër avion.

Emin Hasic, nga qytetit verior gjerman i Barsselit, deklaroi 5 ditë pas tragjedisë ajrore se kishte mbërritur në aeroport shumë orë përpara nisjes së avionit me numër fluturimi 447 mbrëmjen e së dielës, edhe pse kishte pasur probleme në gjetjen e terminalit të duhur.

Agjencia Reuters nëpërmjet telefonit mori konfirmimin nga Hasic për rrëfimin e tij të publikuar sot në median gjermane.

"Nuk do ta harroj kurrë se si zonja në sportel më mori bagazhet dhe tha se nuk kishte asnjë problem nëse do të udhëtoja me një avion tjetër që nisej më herët", citohej Hasic nga gazeta "Ostfriesen Zeitung".

"Kam udhëtuar me avion të paktën 15 herë në jetën time, por kurrë nuk më është ofruar ndërrimi i avionit në këtë mënyrë," u shpreh terapisti gjerman, i cili kishte qenë në Brazil për të marrë pjesë në një konferencë.

Ai kishte lënë aeroportin dhe po udhëtonte me automjetin e tij kur dëgjoi se një me 228 persona në bord ishte rrëzuar.

Bëhej fjalë për avionin që ai do të kthehej nga Brazili, por fati i tij nuk ishte i njëjtë me 228 personat që ndodheshin në bordin e avionit që besohet se u rrëzua dhe u zhduk nën mister të plotë.

"U shokova dhe brenda meje ndjeva një boshllëk të madh", u shpreh Hasic për gazetën "Nordëest-Zeitung". k.k/NOA

KOMENTE