English

KQZ ndan paratë e buxhetit të shtetit për partitë, PD merr 3 milionë lekë më shumë se PS

Tiranë, 6 qershor, NOA - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar në mbledhjen e tij të sotme vendimin për ndarjen e fondeve të caktuara nga buxheti i shtetit për partitë e regjistruara në zgjedhje.

Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, në total, rezulton se Partia Demokratike merr nga buxheti i shtetit rreth 3 milionë lekë më shumë se Partia Socialiste, përkatësisht sipas shifrave PD 16.573.342 lekë dhe PS 13.693.204 lekë.

KQZ konfirmon se shuma totale e akorduar për të gjitha partitë është prej 65 milionë lekësh, e ndarë në dy pjesë. E para, konsiston në ndarjen për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend.

Ndërsa e dyta, konsiston në ndarjen e fondeve për partitë politike që në zgjedhjet pararendëse kanë marrë jo më pak se dy vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare.

Në kategorinë e parë, akordimet e fondeve janë bërë përkatësisht: Partia Demokratike 13.481.481 lekë, Partia Socialiste 10.111.111 lekë, Partia Republikane 2.648.148 lekë, Partia Socialdemokrate 1.685.185 lekë, Lëvizja Socialiste për Integrim 1.203.704 lekë, Partia Agrare-Ambjentaliste 962.963 lekë, Aleanca Demokratike 722.222 lekë, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 481.481 lekë, Partia Demokristiane 481.481 lekë, Partia Demokracia Sociale 481.481 lekë dhe Partia Bashkimi Liberal Demokrat 240.743 lekë.

Kurse në kategorinë e tyre ndarja e fondeve është bërë përkatësisht: Partia Republikane 8.046.992 lekë, Partia Socialdemokrate 5.136.667 lekë, Partia Socialiste 3.582.093 lekë, Lëvizja Socialiste për Integrim 3.386.956 lekë, Partia Demokratike 3.091.861 lekë, Partia Agrare Ambientaliste 2.644.556 lekë, Aleanca Demokratike 1.920.479 lekë, Partia Demokracia Sociale 1.711.151 lekë, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 1.664.092 lekë dhe Partia Demokristiane 1.315.153 lekë.

n.e/NOA

KOMENTE