English

Operacioni, 120 forca të ushtrisë, pastrojnë zonën e ndotur në plazh

Vlorë, 6 qershor, NOA - Pas ndotjes masive në plazh të vjetër, ku u hodhën qëllimshëm rreth 60 ton mbetje mazuti, ka nisur një operacion për pastrimin e zonës.

Rreth 120 ushtarë janë angazhuar në pastrimin e kësaj zone, prej ditës së sotme dhe aksioni do të vijojë në pastrimin e gjithë zonës, me një gjatësi prej 250 m të vijës bregdetare dhe pjesë të rërës, që është ndotur ndjeshëm nga mbetjet e mazutit.

Ushtria ka ndërmarrë sot aksionin, i cili do të vijojë deri në përfundimin total të pastrimit të zonës. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, në repartin e Bunavisë, Vilson Bufazi, tha për mediat se operacioni i pastrimit të plazhit është ndërmarrë nga ana e ushtrisë, jo vetëm si detyrim qytetar, por edhe si detyrim kushtetues që ushtria ka në raste të emergjencave civile.

Ai deklaroi se janë mbi 100 ushtarë që janë thirrur në këtë operacion dhe pastrimi i zonës do të finalizohet brenda pak ditëve, për ta bërë ata sërisht të gatshme për pushuesit.

Po hiqen të gjithë leshterikët dhe ndotjet e shkaktuara përgjatë vijës bregdetare, të cilat po sistemohen në thasë plastike. Po pastrohet edhe pjesa e bregdetit, ku ende ka mbetje të mazutit, dhe të gjithë këto mbetje e papastërti me tej, janë grumbulluar ë makinat e ushtrisë dhe do të hidhen në vendin e përcaktuar për hedhjen e mbeturinave dhe mbetjeve në Vlorë, që është në afërsi të Jallisë në Nartë.

Brenda pak ditësh zona e plazhit të vjetër nuk do të ketë asnjë shenjë të papastërtisë të shkaktuar nga ndotja e 3 qershorit

n.e/NOA

KOMENTE