Tiranë, 6 qershor, NOA - Kategoria e personave me aftësi të kufizuar nuk ka mundësi aplikimi për kartat e identiteti, për vetë kushtet shëndetësore në të cilat ndodhen. Për këtë arsye, përmes kryetarit të shoqatës së tyre, Sinan Tafaj, ata i kanë drejtuar një thirrje qeverisë, në të cilën i kërkojnë që t'u krijojë kushtet e duhura për të aplikuar.
"Të krijohet mundësia për të votuar për personat me aftësi të kufizuar, pasi kjo kategori nuk ka mundësi aplikimi sepse nuk mund të shkojë dotnë zyrat e aplikimit, prandaj të gjendet mënyra dhe të krijohet mundësia", ka thënë kreu i shoqatës, Sinan Tafaj.
Ndërkaq, sipas të dhënave, në listat e kandidatëve për deputetë për parlamentin e ardhshëm në Shqipëri, ka edhe një përfaqësuese të kësaj kategorie.
Ajo është Bardhylka Kosipiri, prej disa kohësh e sëmurë tetraplegjike, e renditur në katërshen e parë të listës së kandidatëve për deputetë të partisë së re G99, e cila ka tërhequr vëmendje qysh në prezantimet e para në publik.
54-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, megjithë sëmundjen e rrallë të para 15 viteve, e cila i bllokoi gjymtyrët dhe e uli në karrigen me rrota, nuk e shmangu atë nga angazhimet politike dhe sociale.
Sipas të dhënave, në Shqipëri, 3 përqind e popullatës njihet si me aftësi të kufizuar.
n.e/NOA