Paris, 6 qershor, NOA - Me ftesë të presidentit të Francës, Nicolas Sarkozy, kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, pas dy ditësh, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Francë.
Ftesa nga presidenti Sarkozy vjen në kuadër të takimeve të tij me kryeministrat e rajonit të Evropës Juglindore dhe siç bëhet e ditur nga kabineti i qeverisë së Kosovës, Thaçi me këtë rast, do të zhvillojë një drekë pune edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kuochner. Bëhet e ditur se në kuadrin e kësaj vizite, kryeministri Thaçi i shoqëruar nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe zyrtarë tjerë të lartë qeveritarë, do të mbajë edhe një fjalim në Qendrën për Studime dhe Hulumtime Ndërkombëtare (CERI), si dhe një konferencë shtypi në Qendrën për Media të huaja. "Në të dyja këto raste, - pohon deklarata zyrtare e qeverisë së Kosovës, kryeministri Thaçi do të prezantojë arriturjet e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, rezultatet e qeverisjes së mirë dhe efektive të institucioneve kosovare, respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve, si dhe sukseset dhe sfidat në procesin e integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike. Kjo është vizita e parë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Paris, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
n.e/NOA