Korçë, 6 qershor NOA - Kandidati për deputet i PS, në qarkun e Korçës, Ben Blushi, është takuar sot me banorët e fshatrave Podgorie dhe Zvirin, për të prezantuar programin e ri të Partisë Socialiste.
Blushi ka bërë me dije, se fshati do të jetë prioriteti në mandatin e ri qeverisës.
Ai është ndalur vetëm në një prej dyqaneve ushqimore të këtyre fshatrave ku konstatoi se lista e borxhit të banorëve shkonte në 10 milionë lekë të vjetra.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët aty Blushi ka dëgjuar nga dëshmitë e banorëve për pamundësitë e jetesës për shkak të çmimeve shumë të rritura të ushqimeve.
Blushi, është ndalur edhe në fshatin Sovjan, në një miting, ku u ka kërkuar banorëve të votojnë Partinë Socialiste më 28 qershor.
"Nuk kam takuar asnjë shqiptar, që të jetë krenar për votën që ka dhënë në 2005, sepse asnjë fermer, asnjë fshatar, askush, asnjë shqiptar nga Tropoja në Sarandë nuk jeton sot më mirë se në vitin 2005, madje, më keq nga sa kishte pritur." u shpreh Blushi.
k.k/NOA