Tiranë, 6 qershor, NOA - Kombëtarja shqiptare zhvillon sot në orën 20.30 ndeshjen me kombëtaren e Portugalisë, në kuadrin e kampionatit botëror 2010.
Portugalisë i duhet patjetër të fitojë për të shpresuar në një vend në eleminatoret e Botërorit 2010, duke parë se ndodhet 7 pikë dyshes kryesuese Danimarkë dhe Hungar. Skuadra portugeze aktualisht ndodhet në të njëjtën kuotë pikësh me Shqipërinë, duke pasur vetëm 6 pikë pas 5 takimesh
Prandaj, lojtarët e ekipit tonë kombëtar janë përgatitur për sulmin portugez dhe bazuar në planin e trajnerit të ri kroat, Josip Kuzhe, ata do të përqendrohen më shumë në mbrojtje, për të parandaluar shënimet e mundshme nga ekipi i Kristiano Ronaldos.
Në përbërje të skuadrës që drejtohet nga Karlos Keiroz janë disa nga futbollistët më të mirë të botës si Kristiano Ronaldo, Deko, Bruno Alvesh apo Simao, por i pari ka për të qenë lojtari më në qendër të vëmendjes.
Lojtarët tanë nuk paraqiten të frikësuar nga kjo ndeshje dhe në deklarimet e tyre të fundit për median, janë paraqitur madje mjaft optimistë.
Kapiteni i Marsejës, Lorik Cana, i cili do të jetë edhe kapiteni i Shqipërisë në takimin e rëndësishëm Shqipëri-Portugali, ka theksuar se si me një fitore, apo ashtu dhe me një humbje, ne do ta mbajmë kokën lart, pasi jemi krenarë që jemi shqiptarë.
"Ne do të luajmë me mundësitë tona, por nuk dorëzohemi aq lehtë. Në asnjë moment ne nuk kemi frikë që jemi shqiptar, për çdo gjë jo vetëm për futboll", ka pohuar ai.
n.e/NOA