Nuk të lënë në Dibër të vesh kashtë mbi tjegulla
Nga Rexhep Shahu
Demir Vladi nga Lura e Dibrës, 88 vjeç, që thotë, i vjetër je sa do vetë e jo sa vjet ke, i thotë ministrit Jemin Gjana që është kandidat për deputet në qarkun e Dibrës, si gjithë figurat kryesore të Partisë Demokratike që janë caktuar në krye të listave në shumë qarqe të vendit, mos i ve re o ministër ato që flasin sa dinë e jo sa duhet.
"Na jena të nderuar që Sali Berisha të ka pru deputet për Dibrën si ti ke ditë me qenë deputet i zoti, me qenë besnik në ditë të këqija për Partinë Demokratike dhe mos me i lujtë kurrë Sali Berishës", - thotë Demiri.
Jemi në Lurë, në këtë perlë të bukurisë natyrore shqiptare, që ende nuk bukuron shpirtrat tonë sa duhet se rruga për atje është e lodhshme.
Në qendër të Fushë Lures ku ishin mbledhë mbi 300 banorë burra e gra, po ndërtohej rruga e gjëra me trotuare të mëdha.
Ndërsa ankohem për rrugën nga Rrësheni për në Lurë, që më troshiti, më flet "dibrançe" inxhinier Hediti nga i cili kuptova se punët bëhen me rend e radhë.
Nuk mund të bëhej rruga për Lurë, pa u bërë rruga Durrës-Kukës që lidh kombin, rruga për Fier e Vlorë etj.
Është rrugë që është e rendit të dytë rruga për Lurë, thotë ministri Gjana dhe tani pas korridoreve të mëdha që po përfundojnë, radhën e ka domosdo rruga për Lurë.
Ne që jemi lurjanë dhe e duam Lurën, që po investojmë dhe po rindërtojmë kullat tona këtu, se ky vend do të lakmohet më shumë nesër, nuk e ndjejmë dhe aq lodhjen dhe rrugën, më thotë Naim Buci, lurjan i suksesshëm si botues në Tiranë, i cili ka ardhë me ne në Lurë bashkë me dhjetra lurjanë të tjerë që jetojnë e punojnë dinjitozë në metropolin e vendit.
Ndërsa artisti i njohur Arif Vladi këndon me grupin e tij për nder të gjashtë kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për qarkun Dibër.
O ministër, i drejtohet Gjanës, ia ktheve bujqësinë Dibrës. Dibra ka qenë hambar dhe hambar po bëhet. Kena mësue dhe kena pa vetë se e keni mbushë Dibren me pemtore të reja. Duhet me pritë me i vjelë e me i hangër ato pemë se s'bëjnë kokrra brenda vitit.
Shumë kemi bërë në këto katër vjet, sa për 40 vjet, vijon bashkëbisedimin ministri Gjana, por kemi shumë për të bërë, i kemi punët përgjysmë. Kemi përgjysmë Rrugën e Arbërit që e bën Dibrën një orë e gjysmë larg Tiranës. Kemi përgjysmë rrugën Peshkopi - Kukës që lidh 11 komuna dhe Dibrën e Madhe me Kukësin e Prizrenin. Kemi plot punë në mes, përgjysmë. Sali Berisha po i lidh trojet shqiptare me rrugë, po i bën shqiptarët me e njoftë e me e dashtë Shqipërinë, po i kthen njerëzit në punë, po i kthen fermerët shqiptarë te toka e tyre, për të punuar tokat e tyre.
O ministër, e merr fjalën xha Demiri. Unë deshta me u çue selam shqiptarëve nga Lura.
Veç tri fjalë për ato që i thonë bukës bukë e ujit ujë. Ka njerëz që nuk e duan Sali Berishën. Na kanë thanë shpesh se bota nuk e do Sali Berishën. Por ai, presidenti i Amerikës, Bushi, erdhi në Tiranë në zyrën e Sali Berishës dhe i tha do të hyjë Shqipëria në NATO dhe do ta marrë pavarësinë Kosova. Të dyja u bënë o burra. Tash e priti në zyrën e tij presidenti i Francës, ajo gruaja ma e fortë e Gjermanisë, e priti Kina, i erdhi në zyrë kryeministri i Greqisë. Shumëkush mundet mos me e dashtë Sali Berishën, o djem, por duhet me ia dhanë hakun, është si asnjë tjetër për me punue për Shqipëri dhe këto tri fjalë që thashë, ua thoni shqiptarëve, e mbyll fjalën e tij xha Demiri dhe e ul kapuçin mbi sy.
Dhe unë këtu po e mbyll. Shkurt. Se nuk vë dot kashtë mbi tjegulla. Nuk të lënë në Dibër të vesh kashtë mbi tjegulla.
Botuar me shkurtime
Shënim: Pikëpamjet e shprehura, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin e agjencisë NOA