Vlorë, 6 qershor NOA - Kreu i lëvizjes G99, Erion Veliaj ishte në Vlorë bëri kontrastin e figurave që kjo lëvizje ka zgjedhur si kandidatë me ato të partive të tjera duke thënë se ekipi i G99 kishte të gjitha arsyet për t'u ndjerë krenar në zgjedhjet e tij.
"Kur shoh të gjithë ata kryetarë partish të sikletosur dhe të turpëruar që vënë kandidatë në Vlorë ata që tashmë kanë dështuar në Vorë, vënë kandidatë ata njerëz merita e vetme e të cilëve janë vetëm xhepat plot, dhe që shpesh pikërisht ata kryetarë nuk i duan as në tribuna, atëherë ndihem me shumë fat që kam në krahë njerëz të papërlyer, njerëz të pastër, pa asnjë bagazh nga e kaluara dhe kaq të aftë,"- tha Veliaj në takimin elektoral në Vlorë ku prezantoi kandidatët e G99 për qarkun.
Veliaj tha se pasioni dhe energjia ishin të vetmet armë të G99 në këtë betejë. "Ne kurrë nuk do të fitojmë me thasë me miell, me premtime për ti bërë njerëzit doganierë apo me ‘të fortë'- shtoi Veliaj- por me njerëz të dedikuar në shërbim të publikes".
Takimin e adresoi dhe kandidati Genci Kojdheli, i cili theksoi se viti i parë i ekzistencës së G99 kishte qenë i mbushur me vështirësi dhe pengesa por në sajë të kurajës dhe kontributit vullnetar, G99 ishte krenarisht tashmë forcë e katërt politike në vend.
"Në këtë betejë ku jemi përplasur me mure tarafesh dhe interesash private ne vijmë me CV tonë me vlerat dhe ato parime që na dallojnë, - tha Kojdheli. Oferta jonë është e pasur dhe mbi të gjitha është e sinqertë".
e.l/NOA