English

"Arbusto", kapet Bushi i Laçit që kërkohej nga Spanja, i zhytur në grabitje dhe vrasje

Tiranë, 7 qershor NOA - Operacion i bujshëm i policisë shqiptare, kapet i njohuri si "i forti i Laçit" që kërkohej për grabitje dhe vrasja, nga drejtësia shqiptare dhe ajo spanjolle.

Arrestimi erdhi si rezultat i bashkëpunimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe shërbimit policor "Guardia Civil" të Mbretërisë së Spanjës", - thanë për agjencinë e lajmeve NOA, burime zyrtare nga Policia e Shtetit.

"Ne konkluduam me sukses operacionin policor të koduar "Arbusto", në sajë të të cilit u bë e mundur kapja e ndalimi i shtetasit në kërkim Astrit Ndue Bushi, 31 vjeç, lindur e banues në Laç", - deklaroi për agjencinë NOA, Laura Totraku, shefe e informacionit në Policinë e Shtetit. Mësohet se operacioni policor i koduar "Arbusto", u zhvillua në orët e para të mëngjesit, në qytetin e Laçit, nga strukturat e Krimeve të Rënda në Departamentin e Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Forcat Speciale RENEA dhe forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë. Astrit Bushi, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet nga drejtësia spanjolle për veprën penale të vjedhjes më dhunë.

Provat Në momentin e arrestimit, Astrit Bushit iu gjetën dhe sekuestruan, një pistoletë Model çek "Lucer", kalibër 9mm, me një krehër me 14 fishekë, të cilën e mbante pa leje, si dhe materiale dhe sende të çmuara të vjedhura gjatë kohës së qëndrimit të tij në Spanjë. Ndërkohë Bushi ishte shpallur në kërkim dhe në Shqipëri pasi me vendimin Nr. 56 datë 25.04.2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burg për veprat penale të "Armëmbajtjes pa leje", "Falsifikim të dokumenteve" dhe "Falsifikim të akteve të gjendjes civile". Por këto vepra të lehta penale, ishin vetëm maja e ajsbergut në hetimin ndaj Bushit, sepse Policia e Shtetit konfirmoi sot se ndaj tij, "nga strukturat e hetimit të krimit do të rifillojnë hetimet dhe për disa vepra të tjera penale, pasi është i dyshuar dhe për vrasjen e një punonjësi policie ndodhur në qytetin e Laçit, si dhe për disa krime të tjera të rënda". e.l/NOA

KOMENTE