English

Berisha: Edi Rama, dil në shesh e le te vazhdojmë betejën

Patos, 7 Qershor, NOA - Kryeministri Sali Berisha u takua dje pasdite me qytetarë të Patosit, ku premtoi se qeveria që ai drejton, nëse do të ketë një mandat të dytë, "do të bëjë që Shqipëria në katër vitet e ardhshme të marrë të gjitha tiparet e një vendi të zhvilluar evropian".

Berisha lëshoi thirrjen për kartat, për "të gjithë qeveritarët vendorë të Shqipërisë pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake, të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia partiake, militantëve të të gjitha partive".

Ai kërkoi që "le ta shndërrojmë këtë javë në betejën tonë më të madhe për letërnjoftimet elektronike, të aplikojmë dhe të marrim letërnjoftimet e reja, dokumentin më modern të identitetit të qytetarit shqiptar".

Kryeministri vlerësoi se "me këto dokumente ne barazohemi në këtë drejtim me të gjithë qytetarët më të zhvilluar të këtij kontinenti".

Këtu, ai ka lëshuar edhe një tjetër thirrje ndaj "kryetarit të mbërthyer të Partisë Socialiste", i cili, - theksoi Berisha, - në gjashtë muaj nuk mori njëherë zemër dhe nuk tregoi njëherë vullnet, që t'u bënte thirrje qytetarëve që të merrnin letërnjoftimet e reja". Më tutje, Berisha iu drejtua kreut të PS, me këto fjalë: "Edi Rama ty të ka mbetur ora te certifikatat, por harroi ato. Qytetarët shqiptarë do të kenë letërnjoftimet dixhitale më të avancuara në Evropë".

Sipas Berishës, "kjo garë më masivja në historinë e vendit do të zhvillohet me të gjitha standardet e bukura, me standardet demokratike të saj, përveç njërit, një njeri kërkon që standardit tonë evropian t'i vendosë standardin e tij personal".

Kryetari i PD e cilësoi Edi Ramën si "një njeri, që në një rast të pashembullt në historinë e pluralizmit shqiptar dhe evropian, ka nisur një fushatë, ka nisur në betejë elektorale partinë e tij, duke qëndruar vetë pas karriges".

Kurse iu drejtua edhe një herë publikisht: "Nga këtu, dua t'i them edhe njëherë, se i jap katër ditë afat që ne të mbledhim parlamentin dhe të ndryshojmë ligjin. Dil në krye të listët të deputetëve, dil sepse burri duhet të këtë kurajë të shohin në sy si fitoren edhe humbjen, si jetën edhe vdekjen dhe çdo gjë tjetër, kjo është kurajë njerëzore, ndaj bëhu burrë".

Duke përfunduar "dialogun" me Ramën, Berisha i tha: "Ti do mësosh vetëm fundin tënd politik, sepse te tjerat janë të garantuara prandaj dhe dil se shqiptar je dhe ti, dil në shesh e le te vazhdojmë betejën".

Ekonomia

Kryeministri pranoi para banorëve në Patos, se "ne takohemi sot, ndonëse jo me pak probleme, por sërish edhe pse jemi në këtë kohë krize financiare botërore, ne jemi në krye të rritjes ekonomike për dy vite me radhë në Evropë", - duke theksuar se, - "ky është mundi ynë,është djersa jonë, është puna jonë".

"Unë vij sot tek ju, - tha Berisha, - për projektin tonë të ri, për projektin tonë të përbashkët, për ëndrrën tonë fisnike, për Patosin Evropian, për një Shqipëri Evropiane. Patosi Evropian, Shqipëria Evropiane do të jenë vepra jonë e ardhshme, do të jetë ëndrra jonë e shndërruar në realitet, do të jetë horizonti që do të kapim katër vitet që vijnë. Sërish me punën tonë, me reformat tona, me përkushtimin tonë".

e.l/NOA

KOMENTE