Nga korrespondenti i agjencisë NOA në Greqi
Santorini, 7 qershor NOA - Një 22-vjeçare, turiste amerikane, është në gjendje të rëndë për jetën pasi u përdhunua egërsisht dhe mbeti e plagosur pasi u masakrua nga e njëjta dorë e cila tentoi dhe ta mbyste për t'i marrë jetën.
Ngjarja ka ndodhur në Santorini, qyteti më i kërkuar në Greqi i turistëve nga e gjithë bota.
Si autor të krimit, policia identifikoi një djalë 29 vjeçar, emigrant shqiptar me leje të rregullt qëndrimi në vendin fqinjë.
Arrestimi i 29-vjeçarit u bë sot në mesditë, në qendër të Santorinit, pak orë pas krimit.
Policia vendase zbardhi se gjatë natës duke gdhirë dita e sotme, 29-vjeçari ka hyrë në një nga dhomat e një hoteli ku qëndronte e vetme, turistja 22-vjeçare, qytetare amerikane e cila kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur në Santorini.
Pak pas mesnatës duke hyrë e diela, i riu shqiptar akuzohet se ka hyrë me forcë në dhomën e hotelit në lagjen "Fira" të qytetit Santorini.
Ka qëndruar ca në pritje për prenë e vet dhe rreth orës 01.45, brenda në dhomë, pa e ditur se ç'e priste, ka hyrë turistja amerikane, pasi ishte kthyer nga një lokal buzë detit.
Në çast, 29-vjeçari shqiptar i është sulur dhe ka tentuar të ketë një raport seksual me vajzën amerikane, por është përballur me reagim të fortë kundërshtues.
Në këto çaste, i riu e ka qëlluar në kokë dhe trup, duke i hequr çdo mundësi refuzimi dhe më tej e ka përdhunuar.
Pasi ka përfunduar aktin e shuarjes së epshit të tij seksual, 29-vjeçari ka dalë qetësisht nga dhoma e hotelit dhe i është drejtuar banesës së tij, vetëm disa qindra metra më larg, po në Santorini.
Në gjendje shoku për shkak të përdhunimit si dhe me plagë në kokë dhe trup, 22-vjeçarja u dërgua në spitalin shtetëror të Santorinit, pak minuta pasi kërkoi ndihmë përmes telefonit, në rajonin policor.
Për shkak të gjendjes së rëndë dhe një ndërhyrjeje të nevojshme, më të specializuar mjekësore, 22-vjeçarja u dërgua në spitalin qendror të Athinës.
Pak minuta para se 22-vjeçarja të dërgohej në Athinë, ka identifikuar dhe agresorin e saj, i cili u vu në pranga në kushtet e flagrancës, brenda pak orësh të një vale kontrollesh që dhjetëra forca policore ushtruan në tërë zonën e Santorinit.
Kurse ka pohuar: "Jam me fat që jam gjallë, ai pasi më masakroi më dru në kokë dhe në trup, më përdhunoi dhe pastaj donte të më mbyste".
Emigranti shqiptar akuzohet paraprakisht për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë, plagosje të rëndë me dashje, vrasje me dashje të mbetur në tentativë dhe dhunim të pronës private.
n.s/NOA