Mirditë, 7 qershor NOA - Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, gjatë një takimi elektoral në Rrëshen tha se rigjallërimi i industrisë në Rubik për vende të reja pune dhe statusi i minatorit, si ligj i parë në Kuvend i PDK-së, janë prioritetet e kësaj force politike.
Ndoka, vlerësoi se Mirdita është i vetmi qytet i cili ka numrin më të ulët të përfaqësimit në qeveri dhe institucionet e shtetit gjatë këtyre 18 viteve.
Më tej ai u ndal në disa propozime konkrete për të luftuar varfërinë në këtë zonë dhe për të siguruar një zhvillim më të qëndrueshëm.
"Nesër në qeverisje ne do të kërkojmë miratimin e statusit të minatorit dhe rishikimin e skemës së pensioneve për ish-minatorët, ringritjen e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të bakrit në Mirditë, si dhe futjen e kompanive serioze ne industrinë e nxjerrëse te bakrit, gjë që do të sjellë dhe rritjen e numrit të të punësuarve, por edhe hapjen e një uzine të re të prodhimit të bakrit, ose vënien në punë të asaj të Rubikut", - tha Ndoka.
Kurse dhe më i ashpër ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i PDK, njëherësh kandidat për këtë zonë, Ndue Shpani.
"Është e patolerueshme harresa dhe indiferenca e shtetit dhe e qeverive të deritanishme ndaj Mirditës,- tha Shpani.
Sipas tij, "Mirdita është lënë nga qeveritë e radhës si një zonë e harruar, për të cilën ato kujtohen tani vetëm në mbledhjen e votave".
Shpani shtoi se Mirdita është një nga zonat më të varfra të vendit, me numrin më të madh të papunësisë dhe të prekur nga shkalla e lartë e emigracionit.
a.k/NOA