Alba Filipi
Pogradec, 7 qershor NOA - Qytetarët e Pogradecit i kanë ofruar një pritje masive Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe ekipit të deputetëve që garojnë në qarkun e Korçës.
Në takim Rama u shpreh se Berisha e kërkon votën për të garantuar biznesin e tij, ndërkohë që të tjerë që janë në opozitën e opozitës e kërkojnë këtë votë për vazhduar pazaret e vjetra në dëm të qytetarëve.
Rama ka premtuar se ai në qeverisje do jetë një kryeministër i një lloji të ri, një kryeministër ndryshe nga këto 18 vjet, duke qeverisur për njerëzit dhe me njerëzit.
"Sali Berisha ua kërkon votën e vetme që keni, pasi ka një biznes për të mbajtur me qeverinë. Të tjerë ish-kryeministra ua kërkojnë votën e vetme që keni, për të qëndruar në opozitën e opozitës, për një deputet të vetëm, që ta nxjerrë pastaj mandatin e marrë nga ju, në pazarin e vjetër të numrave dhe interesave personale, për të mbajtur peng qeverinë tuaj edhe 4 vite të tjera, si këto 18 vjet, në duart e një grushti kryetarësh, që bashkë me një grusht shërbëtorësh kanë vetëm në themel interesin e oborreve të tyre familjare dhe klanore, me kurrizin e kthyer nga ju", - tha Rama.
"Kurse unë, - vijoi ai, - ua kërkoj votën për programin e ri për Shqipërinë, që shkruam së bashku dhe për skuadrën e re të Partisë Socialiste, e cila do të garantojë programin tonë".
Rama premtoi se nëse do të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit, "do të jem një Kryeministër për ju, për t'u dhënë bashkë me ju zgjidhje të reja problemeve të vjetra, për të qenë bashkë me ju kudo që janë sfidat dhe duhen përballuar vështirësitë, për të bërë bashkë me ju gjëra që për 18 vjet me radhë, na i kanë bërë padrejtësisht të pamundura".
Rama ka replikuar edhe me Berishën që e ndjell të "kapë" një mandat deputeti, qoftë dhe duke ndryshuar ligjin që ai të kandidojë edhe pas skadimit të afateve.
"Karrigia e deputetit pas 28 qershorit, do t'i duhet atij, Sali Berishës, që të ulet kur të jetë në opozitë. Ndërsa mua nuk më duhet një tjetër karrige, por një tjetër mandat për të qenë në këmbë, në krye të punëve, në çdo qytet e në çdo fshat, ku do ta çoj qeverinë pas 28 qershorit, për të realizuar programin që realizuam së bashku dhe për të ndërtuar së bashku Shqipërinë si gjithë Evropa", - ka theksuar Rama.
Kurse duke përfunduar, paralajmëroi se vota e 28 qershorit, është një votë më e rëndë se sa asnjëherë tjetër në historinë e këtyre viteve.
"Është një votë që peshon më shumë se kurdoherë tjetër, sepse ka peshën e barrës së madhe, që kemi përsipër për të bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Këtë barrë ju mund ta ngarkoni vetëm mbi supet e Partisë Socialiste, duke e shtatëfishuar fuqinë e votës tuaj për deputetët e Partisë Socialiste", - vlerësoi Rama.
a.f/NOA