English

Takim i frytshëm i mësimdhënësve shqiptarë në Skandinavi

Ramadan Reshitaj, SuediÂ

Malmoe, 7 qershor NOA - Mëse 60 mësues që janë të angazhuar në mësimin plotësues në gjuhën amtare shqipe në shkollat suedeze dhe të shteteve të tjera nordike, morën pjesë në një konferencë, në të cilën shkëmbyen përvoja pune dhe biseduan për gjetjen e formave më të mira në punën e tyre.

Kjo është një konferencë tradicionale që mbahet për çdo vjet në qytetin bregdetar Landskrona e organizuar bashkërisht nga Enti shtetëror shkollor suedez, komuna e Landskronës dhe grupi i mësimdhënësve të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në këtë komunë.

Në këtë takim mësimdhënësish, përpos përfaqësuesve të enteve shkollore suedeze, morën pjesë edhe Prof Dr. Sali Bashota, ligjërues nga Universiteti i Prishtinës, Prof Dr Muhamet Shatri nga Instituti i Historisë së Kosovës dhe Nuhi Gashi, zyrtar nga MASHT i Kosovës.

Mësuesit shqiptarë dhe pjesëmarrësit tjerë, shkëmbyen përvoja nga puna e tyre me nxënës, debatuan për metodat pedagogjike dhe format më të përshtatshme për nxënësit që ndjekin mësimin plotësues në gjuhën amtare dhe folën për vendin e gjuhës shqipe në imediat elektronike siç është interneti.

Mona Akxelson, rektore e sektorit për gjuhë amtare të nxënësve që kanë prejardhje jo suedeze në komunën e Landskronës, tha se ndër gjuhët e këtilla që kanë më së shumit nxënës, është gjuha shqipe.

Kjo gjuhë, si mësim plotësues për shqiptarët, me ndihmën e komunës, mësohet që nga entet parashkollore dhe në gjimnaz.

Këtë lloj shkollimi aktualisht e ndjekin mbi 450 nxënës dhe me ta punojnë 7 mësimdhënës që paguhen nga komuna.

Ndër temat dominonte ishte çështja e plan-programeve mësimore si dhe ajo e teksteve shkollore. Duke marrë pjesë në debat, mësimdhënësit folën për punën e tyre, sukseset dhe sfidat që po ballafaqohen gjatë procesit mësimor.

Edhe pse mësimi plotësues në gjuhën amtare të ardhacakëve në Suedi është i rregulluar me ligj shtetëror dhe ka rregulla të posaçme, mësimdhënësit kërkuan bashkëpunim më të frytshëm me institucionet shkollore nga Kosova.

Për aktivitetin që po zhvillohet në këtë drejtim, pjesëmarrësit i informoi Nuhi Gashi, zyrtar i MASHT të Kosovës në sektorin për shkollat e diasporës.

Ai theksoi punën që po bëhet në kompletimin e plan-programeve dhe të teksteve shkollore për nxënësit në diasporë.

Në këtë drejtim ai nënvizoi sidomos kontributin e mësimdhënësve të diasporës shqiptare për standardizimin e teksteve shkollore për fëmijët mërgimtarë shqiptarë.

U bë fjalë edhe për disa forma të tjera të bashkëpunimit me atdheun, siç janë p.sh ekskursionet e mërgimtarëve shkollarë në Kosovë dhe për mbështetjen që në këtë drejtim jep Ministria e Arsimit e Kosovës.

Dr Sali Bashota mbajti një ligjëratë në temën "Libri, biblioteka, gjuha dhe identiteti". Me këtë rast ai i bëri një rezyme rrjedhës së botimit të librit dhe rrjetit të bibliotekave në Kosovë gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët e sotme.

Në këtë kontekst ai nënvizoi edhe rolin që ka libri dhe bibliotekat për ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e gjuhës dhe të identitetit tonë kombëtar.

Dr Bashota përmendi punën që është bërë nga shtëpitë botuese, e sidomos rolin që kishte "Rilndja" si dhe theksoi gjenocidin që gjatë luftës së fundit ka bërë Serbia ndaj librit dhe bibliotekave në Kosovë duke nënvizuar se vetëm nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës kanë shfarosur mbi 100 mijë ekzemplarë librash të rëndësishëm.

Gjatë konferencës, përpos temave profesionale që u trajtuan nga mësimdhënësit dhe mysafirët, u aprovuan edhe dy libra për Kosovën, autorë të së cilave janë suedezët.

U promovua libri i Peter Kovacit "Projekti Kosova" që bën fjalë për ndihmat humanitare të cilat për Kosovën i ka grumbulluar shoqata humanitare "Lopan" e qytetit të Hoganesit, si libri i Joran Wasseniusit "Një sëmundje mistike" që bën fjalë për helmimet e nxënësve të Kosovës para më se dhjetë vitesh.

Mësimdhënësit gjatë kësaj konference patën edhe punë në grupe, shkëmbyen përvoja dhe mendime me synim që në të ardhmen të kenë rezultate edhe më të mira me nxënësit e diasporës.

r.r/NOA

KOMENTE