Rrogozhinë, 7 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha, dje në mbrëmje u takua me banorë të Rrogozhinës ku premtoi se në zonat e varfra, do të ketë taksa në nivelin zero për të gjitha bizneset për pesë vjet me radhë.
Berisha në miting ka renditur me detaje disa nga arritjet sipas tij të qeverisë që drejton në këto katër vjet që po mbyllen.
Më tej, ai lëshoi premtimin më të ri, se "për të nxitur punësimin në zonat e varfra të vendit, qeveria ime do të heqë taksat për bizneset për 5 vjet".
Po ashtu, kryeministri tha se "për të nxitur punësimin në mbarë, qeveria ime do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për kualifikimin, trajnimin dhe rikualifikimin e punëtorëve, do të paguajë për ta primin dhe sigurimet shoqërore".
Për të nxitur punësimin, - vijoi Berisha, - qeveria ime do ta konsolidojë Shqipërinë si vendin e taksave më të ulëta në Evropë, si vendin me koston më të ulët të prodhimit në Evropë.
e.l/NOA