English

Aksidenti ajror, nxirren nga Atlantiku 17 trupat e parë pa jetë të Air France

Rio de Zhainero, 8 qershor, NOA - Nisin të nxirren nga ujërat e Oqeanit Atlantik, trupat e parë të pa jetë të pasagjerëve që humbën jetën pak ditë më parë ndërsa udhëtonin me avionin e linjës "Air Francë" nga Brazili drejt Evropës.

Sipas të dhënave paraprake, deri tani është mundësuar gjetja e 17 trupave pa jetë të kësaj tragjedie ajrore, e cila tronditi botën, pasi në të humbën jetën plot 228 persona.

Tashmë, skuadrat e shpëtimit kanë nxjerrë nga Oqeani Atlantik trupat e 17 të parëve dhe marina franceze, së bashku me atë braziliane po bëjnë të pamundurën që të nxjerrin të tjerë trupa për t'ua kthyer familjarëve të tyre.

Zyrtarë brazilianë thonë se ekipet e kërkimit kanë mundur të gjejnë edhe një numër të madh të pjesëve të aeroplanit, që ra të hënën e kaluar në ujërat e Oqeanit Atlantik.

228 persona udhëtonin me avionin francez kur u zhduk nga radari ndërsa fluturonte nga Rio de Zhaneiro në Paris. Hetuesit francezë thonë se është herët të nxirret një përfundim për shkakun e rrëzimit të avionit në kohën me stuhi.

Dymbëdhjetë aeroplanë brazilianë, dy aeroplanë francezë dhe një anije franceze si dhe pesë të marinës braziliane vazhdimisht po e gjurmojnë rajonin prej 1,100 kilometrash në verilindje të brigjeve të Brazilit.

n.e/NOA

KOMENTE