Uashington, 8 qershor, NOA - Autoritetet zyrtare të Serbisë dhe ato të Kosovës, duhet që të bashkëpunojnë për të ndriçuar fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999.
Ky është apeli më i ri i lëshuar ndaj të dyja vendeve prej organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International.
Në një raport të kësaj organizate me rastin e 10-vjetorit të përfundimit të luftës, theksohet dështimi i vazhdueshëm i autoriteteve në këto dy vende për të hetuar zhdukjet dhe rrëmbimet me forcë dhe për të sjellë autorët e krimeve para drejtësisë. Dhjetë vjet pas përfundimit të luftës, mbetet i paqartë fati i 1907 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë të Kosovës. Beogradi dhe Prishtina që nga viti 2004 kanë zhvilluar një seri takimesh për këtë çështje, por rezultatet janë ende të pakta.
Në raportin me titull "Varrosja e së kaluarës - mosndëshkimi për zhdukjet dhe rrëmbimet me forcë në Kosovë", Amnesty International shpreh besimin se ka pengesa serioze për t'i dhënë fund mosndëshkimit.
Por në faqet e tij gjithashtu thuhet se më shumë se 3 mijë shqiptarë etnikë ishin viktima të zhdukjeve të dhunshme nga ana e policisë serbe dhe forcave ushtarake e paraushtarake.
Duke shtuar edhe faktet e konfirmuara nga UÇK, se rreth 800 serbë, romë dhe pjesëtarë të pakicave të tjera gjithashtu u rrëmbyen, shumica pas përfundimit të konfliktit të armatosur në qershor të vitit 1999, nën sytë e forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja. "Edhe në Serbi por edhe në Kosovë ka të tillë që do të preferonin që të zhdukurit dhe të rrëmbyerit të mbeten të varrosur në të kaluarën. Amnesty International beson se Kosova dhe Serbia duhet të adresojnë trashëgiminë e konfliktit të armatosur që mund të ndodhë vetëm me zbulimin e plotë të vendndodhjes së varrezave masive, duke i dhënë fund ndërhyrjes politike në hetimet e menjëhershme, të pavarura, të paanshme dhe efektive të krimeve të luftës", ka deklaruar eksperti i kësaj organizate Sian Jones.
n.e/NOA
Â