English

Berisha në Devoll: Shqipëria superfuqi energjetike në rajon

Devoll, 8 qershor NOA - Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për projektin në kaskadën e lumit Devoll.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, ministri i Jashtëm Lulzim Basha, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, Guvernatori i Landit të Austrisë së poshtme Erëin Pröll, etj.

Duke vlerësuar projektin e realizuar nga dy prej kompanive më prestigjioze në fushën e hidroenergjisë, si një kryevepër të ndërtimit, në llojin e vet, kryeministri siguroi se investime të përmasave të tilla do të gjejnë mbështetjen e plotë të qeverisë vendore dhe asaj qendrore.

 "Kaskada e Devollit që do të ndërtohet në një tunelin rreth 62 km do të punësojë direkt 5 mijë qytetarë shqiptarë dhe indirekt do të punësojë edhe 3 mijë të tjerë. Vetëm rrogat e tyre të marra së bashku janë rreth 180 milion euro. Ky projekt është një gur i madh themeli në strategjinë time. Shqipëria superfuqi energjetike në rajon" u shpreh Berisha.

Kryeministri shtoi se taksa e sheshtë prej 10 për qind dhe lehtësira të tjera tarifore, zhdukja e barrierave burokratike, ka bërë Shqipërinë të renditet e para në rajon për investimet e huaja.

"Ambicia imë është shumë e madhe. Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë 1-shi në Evropë për rritjen ekonomike, Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë 1-shi në Evropë për investimet e huaja, Shqipëria ka nevojë dhe do të jetë quantum leap i Evropës në zhvillimin e saj" u shpreh më tej Berisha.

KOMENTE