English

Grabiste biznesmenë në Elbasan e Durrës, kapet në arrati drejt Greqisë

Tiranë, 8 qershor NOA - Kapet në arrati drejt Greqisë, një superhajdut që grabiste me dhunë biznesmenë të ndryshëm, duke përdorur bashkëpunëtorë në krime, të cilët i ndërronte rregullisht.

Alban Skonja u kap në vendkalimin kufitar të Kapshticës në Korçë, duke tentuar të kaloje Kufirin Shtetëror për në Greqi.

Burime zyrtare të Policisë së Shtetit, konfirmuan sot për agjencinë e lajmeve NOA, se ndaj 26-vjeçarit Alban Skonja, ekziston një urdhër-arresti nga Gjykata e Rrethit Durrës, që mban datën 7 prill 2009 dhe një tjetër nga Gjykata e Rrethit Elbasan, që mban datën 8 shkurt 2009.

Skonja, i dënuar një herë më parë, për veprën penale të vjedhjes me dhunë, aktualisht akuzohet nga policia e dy qyteteve, për grabitje me dhunë në bashkëpunim.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur plot një vit më parë, më 8 qershor 2008, në lagjen nr 1 të qytetit bregdetar.

Tek Vila e Zogut, 25-vjeçari Alban Skonja, në bashkëpunim me dy persona që mbeten ende të paidentifikuar i kanë zënë pritë biznesmenit të njohur durrsak Çezar K.

Fillimisht, tre djemtë e kanë goditur me bisht druri në kokë biznesmenin dhe pasi e kanë neutralizuar duke e hedhur përtokë të përgjakur, i kanë rrëmbyer atij çantën ku kishte plot 25 000 000 lekë.

Por Alban Skonja, nuk ishte mjaftuar me kaq. Pasi përlau së bashku me dy shokët e tij, shumën marramendëse nga biznesmeni durrsak, ka menduar një goditje të radhës, jo më në bregdet.

Për këtë, ka përdorur ca shokë të tjerë dhe pikërisht mbrëmjen e 18 shtatorit të vitit që shkoi, Skonja, ka realizuar planin tjetër që i solli "shpejt e shpejt", plot 3 000 000 lekë të tjera.

Grabitja, u krye prej tij në qytetin e Elbasanit, së bashku me Albert Qafa, Laert Mehmeti, Gentian Hoxha, të cilët tashmë janë të arrestuar, si dhe një person tjetër me pseudonimin "Juristi".

Që të pestë, kanë rrethuar dhe kanë goditur me bisht druri në kokë kambistin Arben K., duke i marrë shumën e 3 milionë lekëve, të cilat viktima i tyre, i kishte në kasetën e motorit me të cilin udhëtonte. a.f/NOA

Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i lajmit, prodhim i agjencisë NOA, pa u përmendur burimi NOA

KOMENTE