English

KSHH: Vonesa në shpalljen e listave përfundimtare të zgjedhësve

Tiranë, 8 Qershor NOA - Në bazë të nenit 54 të Kodit Zgjedhor, Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të), duhet të shpallin listat përfundimtare të zgjedhësve jo më vonë se data 3 qershor 2009 pranë çdo qendre votimi.

Për të konstatuar në vend zbatimin e dispozitës të mësipërme të Kodit Zgjedhor, Komiteti Shqiptar i Helsinkit tha sot se në datat 4 - 6 Qershor 2009, monitoroi shpalljen e listave përfundimtare në 812 qendra votimi në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Korçë në nivel qarku.

Gjatë këtij vëzhgimi rezultoi se deri më 6 qershor 2009, në 371 qendra votimi nuk janë shpallur listat përfundimtare, sipas renditjes që vijon: në Tiranë, në 155 qendra votimi që përfshihen në KZAZ-të nr. 45, 46, 47, 48, 49, 50, 51, 53, 54;

në Durrës në 86 qendra votimit që përfshihen në KZAZ-të 8, 9 dhe 10;

në Elbasan në 90 qendra votimi që përfshihen në KZAZ-të 12, 13, 14, 16 dhe 17;

në Shkodër në 35 qendra votimi që përfshihen në KZAZ-të Nr. 40, 41, 42;

në Vlorë në 5 qendra votimi që përfshihen në KZAZ-të me nr. 61, 62, 63.

Nga vëzhgimi në 34 qendra votimi të qarkut Gjirokastër, 57 qendra votimi të Korçës dhe 50 qendra votimi të Fierit, u konstatua se ishin shpallur listat përfundimtare të zgjedhësve.

KSHH thekson se vlen të përmendet se, në disa qendra votimi ku janë shpallur listat përfundimtare konstatohet se nuk është respektuar neni 54 i Kodit Zgjedhor i cili detyron që listat përfundimtare të zgjedhësve të shpallen "…në një vend publik me hyrje të lirë…".

Ndërkohë, në disa qendra të tjera votimi rezultuan fletë të grisura nga listat e publikuara gjë që dëshmon se ato nuk janë vendosur në mjedise të mbrojtura.

Të tilla u vunë re, sidomos në Durrës (Komunën e Rrashbullit), Tiranë (KZAZ-të 53 dhe 46) dhe Shkodër.

Një problem tjetër që u konstatua ishte vendosja e listave në lokale private ku kufizohej aksesi i zgjedhësve për t'u njohur me to.

E njëjta gjë edhe në disa institucione arsimore (shkolla) ku orari i hapjes në to ishte i kufizuar, konkretisht; në Durrës (komuna e Rrashbullit, KZZ-ja Nr.8, Bashkia Manes, Bashkia Maminas, Bashkia Sukth), në disa KZAZ të Tiranës me nr. 49, 53, 46, si dhe në Shkodër (KZAZ-të 40, 41, 42).

Vëzhguesit e KSHH-së gjatë këtij misioni të monitorimit hasën vështirësi në identifikimin e lokaleve private të caktuara si qendra votimi (Tiranë dhe Durrës).

E shikojmë të nevojshme të përmendim gjithashtu se, vëzhguesit e KSHH-së nuk patën mundësi të kontaktonin me një numër të konsiderueshëm të KZAZ-ve, sepse ata nuk ndodheshin në ambientet ku kryejnë detyrën.

Gjatë bisedave me disa anëtare të KZAZ-ve, konstatuam se mos shpalljen në kohë të listave përfundimtare, ata e justifikonin me mosdërgimin e listave përkatëse nga njësitë e qeverisjes vendore.

KSHH i bën thirrje KZAZ-ve që të shpallin menjëherë listat përfundimtare të zgjedhësve pranë çdo qendre votimi.

KSHH i sugjeron KQZ-së që të kontrollojë zbatimin e nenit 54 pika 2 germa "a" të Kodit Zgjedhor dhe të marrë masat përkatëse për të parandaluar vonesat e mëtejshme dhe për të eliminuar shkeljet e tjera.

KSHH i sugjeron gjithashtu KQZ-së që, në kuadrin e programeve e edukimit zgjedhor të shtetasve nëpërmjet medias elektronike dhe të shkruar, si dhe në forma të tjera, të informohen zgjedhësit mbi mundësitë që kanë për t'u njohur me listat e shpallura, si dhe me të drejtën e tyre për t'iu drejtuar Gjykatës nëse emrat e tyre mungojnë në këto lista.

e.l/NOA

KOMENTE