Tiranë, 8 qershor NOA - Publiku i Gjirokastrës dhe Tiranës patën mundësi gjatë kësaj fundjave të shijonin edicionin e tretë të "Takimet Muzikore të dy Botëve.
Ky ishte një aktivitet i organizuar nga Shoqata Franko-Shqiptare "Argjiro" me mbështetjen e Vodafone Albania, si sponsor i përgjithshëm.
Evenimenti artistik i cili çdo vit ka sjellë në Shqipëri performanca të shkëlqyera të artistëve shqiptarë e të huaj, këtë herë ka ofruar ritme jazz dhe muzikë qytetare.
Të gjitha këto, nën interpretimin e Alma Bektashit, e shoqëruar nga Julia Amada Kruger, duo per piano.
Në programin kulturor, po ashtu spikatën koncerte operistike dhe ato të muzikës polifonike.
Mund të veçojmë këtu, kuartetin rus Atrium, korin polifonik të konservatorit të Janinës, kuartetin e Europes Juglindore Celissimo dhe koncertin e grupit polifonik shqiptar, Ergjeria etj.
Ngjarje kulturore të kësaj natyre i japin edhe më shumë prestigj artit dhe kulturës së vendit tonë duke e përballur atë me vende të tjera, çka shërben si shkëmbim kulturor, që jep edhe kontribut në pasurimin shpirtëror të artdashësve shqiptarë.
Një eveniment i ngjyrave ndërkombëtare i cili do të gjente mbështetjen e kompanisë Vodafone Albania, këtë herë do të kontribuonte në rritjen e dialogut mes Shqipërisë, Kosovës, vendeve të Evropës dhe Mesdheut, çka është në fakt edhe një nga objektivat kryesore të shoqatës Argjiro.
a.k/NOA