English

Parlamenti i ri Evropian, konservatorët marrin shumicën, humb e majta

Bruksel, 8 qershor, NOA - Parlamenti i ri Evropian do të ketë fytyrën e konservatorëve, për shkak të pranisë së tyre më të madhe ndaj forcave të tjera politike. Një fakt të tillë e kanë treguar rezultatet e para të anketimeve pas zgjedhjeve në kuadrin e votimeve që u kryen gjatë kësaj fundjave në vendet e Bashkimit Evropian.

Ato tregojnë se konservatorët janë në krye në disa nga vendet me ekonomi më të mëdhe të Bashkimit Europian si Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja.

Por partitë konservatore kanë fituar më së shumti vota edhe në Bullgari dhe Qipro.

Rezultatet e deritanishme për Europarlamentin tregojnë një fitore të forcave të djathta që kanë siguruar 267 vende në parlamentin prej 736 eurodeputetësh.

Ajo që bëhet e ditur zyrtarisht deri tani është se zgjedhjet kanë patur si karakteristika kryesore: Humbjet e votave prej partive qeveritare, ngritja e numrit të votave të partive të djatha ekstremiste dhe pjesëmarrja e ulët në votime nga qytetarët evropianët.

Sa i përket kësaj të fundit, bëhet e ditur se në nivelin e Bashkimit Evropian, votuan rreth 43 përqind të zgjedhësve, duke shënuar një rekord negativ.

Të drejtën për të votuar për 736 vende në Parlamentin e Evropës, e kanë patur 375 milionë qytetarë të 27 vendeve të BE-së.

Austria dhe Holanda kanë qenë shembuj ekstrem të një përmbysje të përgjithshme: shumë zgjedhës kanë dashur të dënojnë partitë në pushtet dhe kanë ndihmuar partitë e armiqësisë ndaj të huajve si dhe kritikët e BE-së.

Thuhet se në përcaktimin e zgjedhësve kësaj radhe në masë ka ndikuar kriza ekonomike.

Ndërkaq, në Britaninë e Madhe, laburistët e kryeministrit britanik Gordon Braun, parti e përfshirë në një numër skandalesh kohët e fundit, pritet të dalin në vend të katërt. Sipas analistëve, shumë votues mendojnë se Bashkimi Europian një bllok prej 27 vendesh, ka bërë pak për të luftuar krizën ekonomike globale, prandaj kanë refuzuar daljen në votime, pasi dihet që parlamenti harton shumë ligje të Bashkimit Evropian dhe autorizon buxhetin e tij.

Në rastin e Italisë, thuhet se kahu i Berluskonit ka mundur të marrë 35 %, ndërsa të majtët 26 % dhe ka një rritje të Lega Nord deri në 10.5%.

Ndërsa në Greqi, socialistët kanë festuar fitoren e tyre të parë ndaj konservatorëve në zgjedhjet për Parlamentin Europian qysh prej vitit 1994.

Sipas të dhënave paraprake, me rreth 50% të votave të numëruara, ata kryesojnë me 2.7 % duke lënë pas partinë qeveritare "Demokracia e Re".

n.e/NOA

KOMENTE