Elbasan, 8 qershor, NOA - Në teatrin "Skampa" të qytetit të Elbasanit, Partia "Lëvizja e Legalitetit" prezantoi 14 kandidatët që do të konkurrojnë nën siglën e kësaj partie për qarkun e Elbasanit.
Moderator i prezantimit ishte poeti i njohur Agim Doçi, i cili kandidon edhe vetë në siglën e kësaj partie për qarkun e Tiranës.
Në këtë prezantim, kryetari i PLL-së Ekrem Spahiu, tha se për zgjedhjet e 28 qershorit partia "Lëvizja e Legalitetit" konkurron në të gjithë vendin me një listë të plotë prej 240 kandidatësh cilësorë.
"Në qarkun Elbasan konkurron edhe nën-kryetari i PLL-së, Murat Basha. Kjo është shprehje e rëndësisë që kjo parti i kushton këtij qarku por edhe objektivave të saj të qarta për të fituar këtu mandat parlamentar", tha Spahiu.
Ai  vazhdoi më tej duke thënë se "PLL është produktive në atë çfarë ofron dhe kërkon qëtë menaxhojë me efikasitet votat që do të marrë nga elektorati shqiptar për një bashkëqeverisje të mirë dhe komplementare ku do të jetë e materializuar edhe filozofia e saj qeverisëse për një shtet të fortë i cili ka në qendër të vëmendjes interesat e qytetarëve."
Spahiu tha gjithashtu se PLL do të punojë krah për krah Partisë Demokratike për të mundësuar brenda vitit të parë të mandatit të ri qeverisës lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë në Evropë si një realitet që ka ekzistuar që në vitet e Mbretërisë Shqiptare.
Duke njohur rolin kryesor të PD si promotorin kryesor te zhvillimeve ekonomike në këto vitete por edhe gjatë mandatit të ardhshëm, Spahiu tha se "PLL do të përqendrohet në jetën shpirtërore të kombit: familjen, edukimin, kulturën dhe traditën tonë kombëtare, pa lënë mënjanë edhe pikat e tjera programore të saj".
n.e/NOA
Â