English

Perspektiva kombëtare dhe ndërkombëtare

Nga Gjon Keka

Përderisa kombet dhe popujt demokratikë dhe të civilizuar kanë arritur të ndërtojnë infrastrukturën e tyre kombëtare dhe ndërkombëtare, kombet dhe popujt në Ballkan ende jetonin me të kaluarën dhe primtivizmin e tyre të nacionalizmave të skajshëm dhe ekstremë. Pra, vendet e Ballkanit kishin mbetur peng i konflikteve dhe luftërave të brendshme ndëretnike dhe pre e doktrinave të errëta të historisë dhe mbeturinave të dështuar të saj.

Bota e re demokatike dhe e civilizuar që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e këndej, ka pasur një zhvillim të hovshëm ekonomik dhe të strategjisë së zhvillimeve të tjera gjigante, të cilat jo vetëm që kaluan përmasa kombëtare, por ato u bënë pjesë e zhvillimeve moderne dhe të papërsëritshme në historinë e zhvillimeve politike dhe ekonomike të globit.

Nëse mund të hedhim një shikim që bota sot krenohet me arritjet e saj ne duhet vetëm të shikojmë mënyrën e qasjes së tyre, qoftë në aspektin e brendshëm të proceseve gjeopolitike dhe gjeostrategjike që ndodhën, atëherë mund të themi se mundja e primitivizmit dhe moszhvillimit i tejkaloi përmasat e një bote ku njeriu më nuk është pjesë e saj në proces, por edhe bërës i ngjarjeve të mëdha brenda procesit historik të zhvillimit gjithëpërfshirës të saj.

Mund të marrim shembuj mjaftë tërheqës, të cilët jo vetëm janë shenja të një civilizimi, por edhe pjesë e zhvillimeve moderne dhe atij gjigandizmi ekonimik që i tejkalon përmasat normale, duke arritur kështu në shkallën e civilizimit të kompletuar apo edhe të tejkaluar të saj, shembujt e mëdhenj që janë edhe shenja të mëdha zhvillimore si psh. autostradat apo superstradat në SHBA, Kanada, Australi, Itali, Austri, Gjermani etj.

Këto vende në botën e civilizuar dhe demokratike arritën të ndërtojnë një infrastrukturë moderne në shërbim të sferave kombëtare, duke e bërë kështu më të lehtë mënyrën dhe qasjen e përbashkët ndërkombëtare, ato nga zhvillimi i brendshëm arritën të bëjnë lidhje të qëndrueshme të infrastrukturës me botën demokratike të vendeve të tjera. Strategjia e këtyre vendeve ishte e qartë: në shërbim të së mirës së vendit, rajonit dhe të bashkimit të qëllimeve dhe historisë duke bërë kështu që rruga jo vetëm t'u shërbejë ineresave kombëtare, por edhe te jetë si nje pjesë kardinale e zhvillimeve gjithëpërfshirëse ndërkombëtare.

Duke mos shkuar më tutje me zhvillimet gjigande të infrastrukturës së vendeve të civilizuara demokratike perëndimore, ne do fokusohemi në rëndësinë historike dhe simbolikën e autostradës Durrës-Kukës si dhe procesin e plotë të kombit shqiptar drejt qëllimeve të integrimit rajonal dhe atë në strukturat euro-atlantike.

Në përgjithësi, proceset e zhvillimeve në të gjitha sferat në rajonin ballkanik, nuk kanë qenë të admirueshme dhe as të hovshme apo marramendëse. Kjo pjesë e rëndësishme e botës dhe e Europës nuk kishte arritur t'i shuante hasmëritë dhe urrejtjet e brendshme nacionaliste dhe as instiktet e tepruar rrënuese.

Të gjitha vendet u bënë pjesë e një arene lufte ku e keqja ishte bërë pjesë e çdo shteti dhe politikë doktrine të saj. Proceset historike të kombeve në Ballkan nuk kishin elemente që përmbanin ruajtjen e identitetit të tyre por më tepër kishte si qëllim gërshetimin e tyre, ata nga urrejtja ndaj njëri-tjetrit arritën të humbnin edhe sensin real dhe origjinalitetin, sepse duke kërkuar të gllabëronin njëri-tjetrin, ata arritën në stadin më të ulët të së keqes shtazore dhe nacionalizmi u priu gjithë proceseve, deri të shpërthimi i vullkaneve etnike dhe kombëtare që çuan ujë në lirinë e popujve dhe kombeve, deri te arritja e qëllimeve kombëtare të tyre.

Ndërsa tani në shekullin XXI, kombi shqiptar po ecën drejt proceseve të arritjeve Historike, por edhe kombëtare me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, pastaj anëtarësimin në NATO, aplikimin e shtetit shqiptar për shtet anëtar i Bashkimit Europian, të gjitha këto kanë karakter kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar sepse nga njëra anë u shërbejnë interesave dhe i lidhin fijet e këputura kombëtare të kombit shqiptar, ndërsa nga ana tjetër përfiton rajonalisht duke lidhur marrëveshje dobiprurëse ekonomike dhe kulturore, tregtare etj.

Ndërsa ndërkombëtarisht, ajo do e bënte kombin shqiptar si një faktor kyç të lidhjeve të mëdha historike, por edhe si një arritje europiane dhe ndërkombëtare, ku në një mënyrë apo në një tjetër, kombi shqiptar do e lidhë ardhmërinë e tij dhe vizionin e tij të zhvillimeve moderne, me proceset e përbashkëta euro-atlantike dhe globale.

Kombi shqiptar nuk do kishte arritur deri këtu po të mos kishte përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare veçanërisht të SHBA-së, edhe proceset e tanishme të kombit shqiptar drejt faktorizimit apo më mirë të themi drejt bërjes së kombit shqiptar si një aktor i rëndësishëm i rajonit ballkanike dhe proceseve të përbashkëta ndërkombëtare, tregon qartazi se në sajë të ndihmës ndërkombëtare dhe në sajë të qëndresës së kombit shqiptar në mënyrë këmbëngulëse ndaj proceseve të reja të demokracisë dhe zhvillimeve moderne ekonomike, ajo po e plotëson projektin më të madh të saj në histori: integrimin në familjen e saj europiane.

Suksesi i shtetit shqiptar dhe shqiptarëve në përgjithësi, lidhet ngushtë me përpjekjet e tyre për liri dhe për të qenë të barabartë si të gjithë popujt e tjerë demokratikë e modernë, por këtë përpjekje ajo e ka bërë realitet duke patur miq të mëdhenj që rrallë në historinë e popujve dhe kombeve ndodhin, siç janë SHBA-të dhe vendet e tjera përkrahëse në proceset e kombit shqiptar për t'u zhvilluar dhe mbjellë demorkacinë e lirinë në vendet e tyre. Mund themi me plot bindje se tërë proceset e kombit shqiptar që pas lënies pas krahëve të komunizmit dhe hyrjes në tranzicionin demokratike, pastaj hyrja në NATO, aplikimi në BE dhe ndërtimi i rrugës kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare Durrës-Kukës, janë projekte të përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht SHBA dhe shtetit shqiptar.

Dhe në fund, kombi shqiptar në shekullin XXI po hyn në tri faza të rëndësishme të historisë së tij. E para, në përmbushjen e proceseve të rëndësishme historike të ndërtimit të një shtetit demokratik dhe prosperues e juridik, e dyta proceseve ekonomike dhe moderne, si dhe e treta procesve të rëndësishme të integrimit të saj të plotë në proceset historike të bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht integrimit të saj në bashkimin e vlerave të përbashkëta perëndimore pra integrimit në strukturat e familjes europiane.

Pra, këto procese të këtij shekulli janë procese të rëndësishme për kombin shqiptar sepse zhvillimet e tilla të këtyre kohëve të fundit na lënë të kuptojmë se kombi shqiptar tanimë ka hyrë në oborrinë e aktrimit të përbashkët të politikës ndërkombëtare si dhe të zhvillimeve të përgjithshme ndërkombëtare, thjesht ajo po hyn në një mision të madh të proceseve historike kombëtare dhe ndërkombëtare.

*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

KOMENTE