Paris, 8 qershor, NOA - Me ftesë të Presidentit të Republikës së Francës, Nikolas Sarkozi, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sot do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Francë.
Ftesa nga presidenti Sarkozi vjen në kuadër të takimeve të tij me kryeministrat e rajonit të Evropës Juglindore. Gjatë vizitës, kryeministri Hashim Thaçi do të zhvillojë një drekë pune edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në vizitën e tij zyrtare në Francë do të shoqërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skender Hyseni dhe zyrtarë tjerë të lartë qeveritarë.
Gjatë vizitës në Francë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të mbajë një fjalim në Qendrën për Studime dhe Hulumtime Ndërkombëtare (CERI), si dhe një konferencë shtypi në Qendrën për Media të Huaja. Në të dyja këto raste, Kryeministri Thaçi do të prezantojë para ekspertëve për çështje ballkanike dhe gazetarëve të medieve të shumta botërore të arriturat e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, rezultatet e qeverisjes së mirë dhe efektive të institucioneve kosovare, respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve, si dhe sukseset dhe sfidat në procesin e integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike.
Kjo është vizita e parë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Paris, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Temë bosht e të gjitha takimeve të kryeministrit Hashim Thaçi me zyrtarët më të lartë në Paris do të jetë thellimi i marrëdhënieve dypalëshe mes Kosovës dhe Francës, në këtë kuadër edhe konfirmimi i vazhdimit të mbështetjes së shtetit francez për zhvillimin e gjithanshëm të shtetit të ri të Kosovës.
NOA-INA
Â