Gjirokastër, 8 Qershor NOA - Ashtu si në çdo fillimsezoni veror, pjesa më e madhe e shqiptarëve nisin të kthehen në Shqipëri për të kaluar muajt e pushimeve e sigurisht për t'u kthyer sërish në vendin ku kanë emigruar.
Mes tyre, ishte edhe 28-vjeçari Miljan Buzi nga Tirana, një vrasës, i cili si shumë shqiptarë të tjerë, fshihej në Greqi në përpjekje për t'i shpëtuar drejtësisë greke.
Por ashtu si shumë kriminelë të tjerë, edhe Miljanin e kishte zënë malli për të afërmit dhe miqtë në vendlindje, ndaj duke menduar se 12 vjet ishin goxha kohë që dosja e tij të qëndronte ende në vendkalimet kufitare, ka vendosur të rriskojë.
Mesditën e sotme në orën 13.00, Miljan Buzi, përkrah emigrantëve të tjerë, sigurisht në pamje të parë, pa u kuptuar se është një person shumë i kërkuar, është gjendur në pikën e kalimit të kontrollit kufitar Kakavijë.
Atje, ka kaluar qetësisht policinë kufitare greke dhe më tej ka hyrë në atë shqiptare.
Por këtu ka çaluar puna. I riu i është nënshtruar verifikimeve dhe i është dashur të vonohet pak derisa të vazhdojë rrugën.
Të paktën kështu i është thënë ndërsa priste që dokumentet e tij të verifikoheshin, sepse pak minuta më pas, i janë hedhur prangat.
"Miljan Buzi, rreth orës 13.00, vinte nga Greqia për në Shqipëri dhe në hyrje të territorit shqiptar në Kakavijë është kapur nga shërbimet e policisë kufitare", - sqaroi policia e Gjirokastrës.
Policia, konfirmoi zyrtarisht për agjencinë e lajmeve NOA, se Miljan Selfo Buzi, 28 vjeç, lindur në fshatin Petovë Fier dhe banues në Kombinat, Tiranë, rezultonte në kërkim.
"Buzi është i shpallur në kërkim më datën 26 shkurt 2009, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, me vendim të formës së prerë, Nr 322, datë 21 tetor 2008, e ka dënuar me 8 vjet burg për veprën penale të "Vrasjes me dashje", - detajoi policia.
Më 22 shkurt 1997, në fshatin Petovë të rrethit Fier, Buzi, atëherë vetëm 16 vjeçar, ka vrarë me thikë 19-vjeçarin M.L, po nga fshati Petovë.
Nga hetimi doli dhe shkaku i vrasjes, viktima M.L, kishte rrahur vëllain e Miljan Buzit, për motive të dobëta dhe për këtë Miljani nuk ia kurseu jetën dhe e vrau me thikë 19-vjeçarin.
Pas ngjarjes, adoleshenti ra në qeli, por është larguar nga burgu në vitin 1997, pas trazirave që ndodhën dhe kur shteti dorëzoi kontrollin mbi vendet e izolomit.
Megjithatë, shtatë vjet më vonë, në vitin 2004, Miljan Buzi është arrestuar sërish dhe ka kryer 2 vjet e 6 muaj burg.
Menjëherë më pas, ai është liruar nga gjykata e rrethit Fier. Por Gjykata e Apelit Vlorë ka marrë vendim të formës së prerë duke e dënuar Miljan Buzin, me 8 vjet burg.
Policia tha se veprimet e mëtejshme me Buzin, do t'i kryejë Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ku dhe do të transferohet i ndaluari në kufi.
v.d/NOA