Tiranë, 8 qershor NOA - Një 35-vjeçar është gjetur i vrarë në Tiranë dhe policia po heton pistat e ngjarjes duke u përqendruar në atë të një vetëflijimi të mundshëm.
Burime zyrtare të policisë së Tiranës, thanë sot për agjencinë e lajmeve NOA, se ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 09.00, në afërsi të fushës "Misto Mame", viktima është Anton Lleshi, 35 vjeç, lindur në fshatin Kryezi në Pukë.
I ndjeri u gjet nga shërbimet e policisë, pak minuta pasi ata morën njoftim nga salla operative se në ambientet e një banese pranë "Misto Mames", ka vdekur si pasojë e plumbit me armë zjarri, 35-vjeçari Anton Lleshi, lindur në fshatin Kryezi Pukë.
Zbardhja e ngjarjes
Nga hetimet e kryera, është zbardhur dhe motivi së bashku me rrethanat e ngjarjes.
Mësohet se i ndjeri Anton Lleshi, prej disa kohësh po përjetonte xhelozi ndaj të shoqes.
Ndonëse nuk dihet shkaku pse ai ndjehej xheloz, ditët e fundit, dyshimin se e shoqja e tradhtonte po e përjetonte edhe më shumë.
Ndaj nisi të kurdisë planin, për t'i dhënë fund jetës së tij.
Duke qenë se një punonjës burgu në Tiranë, ai e kishte shok prej vitesh, ka vendosur që t'i marrë atij pistoletën. Sipas dëshmive të mbledhura, Antoni ia ka marrë pa treguar pistoletën shokut të vet.
Ky i fundit, ka raportuar tek eprorët e tij të burgut ku punon, se i kishte humbur pistoleta që mbante për shkak të detyrës.
Por punonjësi i burgut, nuk e dinte se me pistoletën e tij, po kurdisej një plan fatal vetëflijimi. Në orën 09.00 të mëngjesit të së dielës, 35-vjeçari Anton Lleshi, gjendej i vetëm në dhomën e gjumit.
Në një moment, që, sipas rrethanave të hetuara, ai e kishte pritur dhe planifikuar më herët, ka nxjerrë pistoletën që i kishte marrë fshehurazi shokut dhe ka kryer aktin fatal të flijimit.
Policia tha se në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore, nga ku rezultoi se viktima ka vrarë veten me armë zjarri.
Aktualisht nga grupi hetimor i formuar dhe nga ekspertë të seksionit Kundër Krimeve ndaj Shëndetit, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Në cilësinë e provës materiale, policia tha se u sekuestrua pistoleta e tipit "TT" si dhe një karikator, por materialet hetimore do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ndjekje të mëtejshme.
e.l/NOA- Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i lajmit, prodhim i agjencisë NOA, pa u përmendur burimi NOA