English

Aktiviteti, arkitektura italiane në ndërtimet e Gjirokastrës

Gjirokastër, 9 qershor, NOA - "Arkitektura italiane e viteve ‘900 në Qendrën Historike të Gjirokastrës" është aktiviteti i cili do të zhvillohet në qytetin jugor, me iniciativën e Bashkisë dhe ambasadës italiane në vendin tonë.

Sipas të dhënave që jepen për agjencinë e Lajmeve NOA, bashkëpunëtorë të tjerë të këtij aktiviteti janë Universiteti Politeknik i Torinos, zyra për administrimin e Qendrës Historike në Gjirokastër, drejtoria rajonale e Kulturës Kombëtare, universiteti "Eqerem Çabej", shoqata "Dante Alighieri", Arkivi Teknik i Shtetit si edhe Universiteti i Ferrarës në Itali.

Axhenda e këtij aktiviteti parashikon hapjen e tij me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime dhe atasheut të ambasadës italiane në Tiranë, prof. Adriano Ciani.

Ata do të flasin për pasurinë arkiteturore italiane në Gjirokastër, mbi të shkuarën dhe të ardhmen e saj. Por edhe mbi stilin italian të viteve ‘900 në ndërtimet e Qendrës Historike të Gjirokastrës.

Por në kuadrin e këtij aktiviteti, do të mbahet edhe një ligjëratë, ku do të përmendet rasti i ngjashëm i Durrësit sa i përket arkitekturës, me titullin "Durrësi, midis identitetit dhe memories: një shembull i kantiereve të hapura".

n.e/NOA

KOMENTE