English

Berisha në Laç: Vota majtas, pse është votë mbrapa

Laç, 9 qershor NOA - "Ju bëj thirrje, asnjë votë të vetme majtas, sepse vota majtas është votë për të shkuarën, është votë, e cila synon të errësojë të ardhmen tonë, është votë për atë që nuk ka besim te njerëzit e tij, nuk ka besim te shqiptarët që refuzon të kandidojë".

Kjo ishte thirrja që lëshoi mbrëmë kryeministri Sali Berisha në një takim me banorë të Laçit, në qendër të këtij qyteti.

Kartat

Në takimin e Laçit, kryeministri lëshoi sërish thirrje për letërnjoftimet e reja: "I merrni se me këto dokumente unë dhe ju barazohemi për dëshmi identiteti me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të perëndimit".

Kurse garantoi shqiptarët se këto kartat, "do t'ju shërbejnë për dhjetëra e dhjetëra shërbime gjatë viteve që vijnë".

Investimet

Berisha ka atakuar direkt, kreun e partisë më të madhe të opozitës: "Le të shtrojmë pyetjen, ky zotëri që refuzon të vendosë veten në krye të listës së partisë së tij a ka moral të kërkojë vota, a ka moral të paraqesë kandidatë, a ka moral të flasë për zgjedhjet.".

Kurse menjëherë më pas, shtroi pyetjen: "Kur ka ndodhur në historinë e demokracisë që një kryetar partie t'u thotë të tjerëve para ju, se mbrapa më keni. Nuk ndodh kurrë".

Në këtë pikë, Berisha lëshoi thirrjen "Prandaj ju bëj thirrje asnjë votë të vetme majtas".

Kryeministri tha më tej se 28 qershori është dita e madhe e projektit të ri, me të cilin "ne do të bëjmë që çdo fermer i këtij rrethi të financojë të gjithë projektet e tij, të vendosim tërësisht nën ujë të gjithë sipërfaqet e tokës suaj, të subvencionojmë prodhimet, të subvencionojmë naftën dhe inputet për sipërfaqen e mbjellë, projektin e ullirit dhe ta shndërrojmë Laçin në një nga zonat më të fuqishme të zhvillimit në Shqipëri".

Berisha pohoi se Laçi ka nga brigjet më të mrekullueshme të detit. Ndaj u premtoi banorëve të Kurbinit se "infrastruktura më moderne do të ngrihet në të tërë bregun tuaj dhe resortet më të mira turistike do të ndërtohen gjatë katër viteve që vijnë".

e.l/NOA

KOMENTE