Gjirokastër, 9 qershor NOA - Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë në Qarkun e Gjirokastrës e PS Arta Dade, në një konferencë për shtyp të organizuar pasditen e të hënës në ambientet e PS lokale, ka shprehur shqetësimin për përfshirjen e administratës shtetërore në tubimet politike që organizojnë kandidatët për deputetë të PD.
Kandidatja për deputete Arta Dade e ka quajtur të papranueshme përdorimin e administratës shtetërore e sidomos atyre të sistemit arsimor në tubimet elektorale gjatë dy ditëve të fundit nga ana e përfaqësuesve të PD së Gjirokastrës.
Shembullin konkret Dade e ka sjellë me aktivizimin në tubimet partiake të personave që kanë status të veçantë në institucionet shtetërore që nuk përputhen aspak me aktivitetet e subjekteve politike.
Pjesëmarrja aktive e Avokatit të Shtetit Kristaq Kutra në gjyqësorin e Gjirokastrës gjatë mbledhjes së djeshme sektoriale të degës së PD në Gjirokastër në ambientet e shkollës së mesme "Siri Shapllo", bie ndesh me statusin e nëpunësit në sistemin e drejtësisë i cili është i shkëputur nga politika, - është shprehur zonja Dade për gazetarët e pranishëm në konferencën e sotme të shtypit.
Ndërkaq ajo ka sjellë edhe shembullin e organizimit të një tubimi elektoral mesditën e sotme në shkollën e fshatit Luftinjë në rrethin e Tepelenës ku kryetari i Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës Arben Culli.
Dade tha se Culli kishte shkelur ligjin jo vetëm se organizonte takim elektoral në ambjente shkollore në kundërshtim me ligjin, por më e keqja ishte edhe përdorimi i nxënësve dhe mësuesve të kësaj shkolle në këtë takim.
Më vjen keq, -është shprehur zonja Dade, -që pushteti i sotëm po luan me bukën e gojës me punonjësit e administratës duke i përdorur ata për të mbushur sallat e tubimeve elektorale.
Krahas këtyre shqetësimeve, Dade ka denoncuar edhe veprimet e fundit të kryetarit të Komunës së Petranit në Rrethin e Përmetit Niko Shupuli.
Ky i fundit sipas Dades, ndalon në mënyrë permanente procesin e pajisjes me karta identiteti të banorëve të kësaj krahine që kanë kërkuar të pajisen me këtë mjet identifikimi.
Kjo është një situatë që duhet të marrë fund menjëherë pasi nuk i shërben klimës zgjedhore dhe të drejtës legjitime që kanë zgjedhësit për të votuar më 28 qershor me kartat e reja të identitetit, -ka përfunduar deklaratën e saj kandidatja për deputete që kryeson listën e PS në Qarkun e Gjirokastrës Arta Dade.
v.d/NOA