English

E rrallë në Korçë, del lakuriq 41-vjeçari, banorët e rrahin publikisht

Alba Filipi

Korçë, 9 qershor NOA - Një histori e rrallë ka qenë ajo që ka ndodhur dje në Korçë, duke sjellë jo vetëm ilaritet dhe zhvillime të pazakonta por edhe dhunë që çoi në plagosjen e një personi "zevzek".

Gjithçka ka nisur pasditen e djeshme në fshatin Vreshtas të Korçës ku rezultoi nga policia se ishte dhunuar banori vendas, Dëfrim Rena.

Vetë i dëmtuari, ka shkuar në postën policore dhe ka denoncuar se ishte rrahur nga disa persona të fshatit ku jeton, por duke bërë ca shtesa, që provokuan madje reagime politike.

Dëfrim Rena denoncoi në polici se ai është rrahur për motive politike dhe se i përket forcës politike të majt, Partisë Socialiste.

Për sqarimin e këtij incidenti policia e Korçës, ka komunikuar me drejtuesit e kësaj force politike për fshatin Vreshtas dhe konkretisht me kryetarin vendor Florenc Tabaku.

"Përfaqësuesi i PS, sqaroi se personi i dëmtuar nuk ka lidhje me këtë force politike, nuk është rrahur për motive politike dhe se nuk është aktivizuar prej tyre për fushatë elektorale për të cilat pretendon i dëmtuari", konfirmoi për agjencinë NOA, policia e Korçës.

Në vijim të hetimit, policia ka marrë në pyetje të dëmtuarin Dëfrim Rena dhe ka mbledhur dëshmi të bashkëfshatareve të tij.

Ata pohuan se Rena është i njohur në fshat si njeri me probleme mendore dhe për këtë është shoqëruar në dy raste për t'u trajtuar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.

Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, është zbardhur dhe e vërteta e dajakut që hëngri "socialisti i dhunuar".

"Dëfrim Rena i cili vuan nga të metat mendore kishte dalë në lagjen e fshatit i zhveshur, veprim të cilin ai e ka kryer dhe herë të tjera, duke provokuar zemërimin e banorëve që iu sulën në banesë dhe e dhunuan", - zbardhi policia.

Në të vërtetë, një grup banorësh të fshatit, kur panë se Dëfrimi "dëfrehej" me lakuriqësinë e tij duke dalë siç e kishte bërë nëna, në mes të fshatit, para fëmijëve, grave dhe burrave, janë zemëruar vërtet shumë.

Ata janë nisur për në shtëpinë e 41-vjeçarit dhe në gjendje tejet të irrituar nga veprimi i pamoralshëm i Dëfrimt, me të arritur në banesë, i janë vërsulur dhe e kanë goditur duke i shkaktuar dëmtime në kokë, por pa rrezik për jetën.

Në këtë mënyrë është mbyllur e gjithë historia e rrallë e Dëfrimit.

Por policia është treguar më gjakftohtë, duke mos e lënë me kaq. Ajo ka vendosur të hapë çështje penale, për veprën penale të dhunimit të banesës ndaj të gjithë banorëve që u sulja dhe rrahën Dëfrimin, ndaj dosja do t'i kalojë sot Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.

a.f/NOA

KOMENTE