English

Përurohet Qendra e Licencimit, Berisha: Gjithçka mundem, ndaj korrupsionit

Tiranë, 9 qershor NOA - Qeveria shqiptare do të bëje çdo përpjekje për zbatimin e projekteve të reja që lehtësojnë biznesin dhe luftojnë me efiçencë korrupsionin.

Këtë angazhim shprehu sot kryeministri Sali Berisha, ndërsa mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Zyrave Qendrore të Qendrës Kombëtare të Licencimit, në Tiranë.

Qendra Kombëtare e Licencimit është hapur me mbështetjen e Fazës së dytë të programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit në Shqipëri. Kjo marrëveshje dyvjeçare me vlerë 15.7 milionë dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, e financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe administruar nga USAID, ka si synim të forcojë shtetin ligjor, të reduktojë korrupsionin dhe të rrisë mbikëqyrjen nga publiku, përmes zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit dhe ndihmës teknike, duke përmirësuar në këtë mënyrë, klimën ndaj biznesit, në Shqipëri.

Duke vlerësuar këtë qendër, një hap domethënës në luftën kundër korrupsionit dhe një ndihmë të madhe për biznesin, Drejtorja e USAID në Shqipëri, zonja Mahoney u shpreh se qeveria shqiptare po përmbush më së miri premtimin e saj, për të goditur ndjeshëm korrupsionin.

"Sot, me inaugurimin e kësaj Qendre Kombëtare të Licencimit, Shqipëria ndërmerr një hap të rëndësishëm përpara, drejt plotësimit të premtimit të saj, për të luftuar korrupsionin, në një mënyrë të prekshme", - tha Berisha.

Ai e cilësoi QKL, si një ndër përpjekjet e qeverisë shqiptare për të lehtësuar barrën burokratike dhe financiare mbi biznesin dhe për të luftuar me eficencë korrupsionin".

Kryeministri tha se në kuadrin e Pragut të Mijëvjeçari, në Shqipëri kanë marrë jetë disa projekte që kanë transformuar tërësisht praktikat e mëparshme, siç janë taksa elektronike, regjistri elektronik i biznesit, prokurimi elektronik".

Më pas, kryeministri Berisha dhe Drejtoresha e Misionit të USAID, Mahoney zbuluan një pllakë dedikimi, në të cilën thuhej "Qendra Kombëtare e Licencimit u ngrit nga qeveria shqiptare me ndihmën e popullit amerikan për ta bërë procesin e licencimit të biznesit, në Shqipëri, më të lehtë, më të shpejtë dhe transparent".

e.l/NOA

KOMENTE