Tiranë, 8 qershor NOA - Nënkomisari, Altin Murra i cili u arrestua dje në Stamboll si i implikuar në trafikimin e një sasie të konsiderueshme heroine, është shkarkuar nga detyra.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, bëri të ditur sot se policia po mban kontakte me homologët turk për vijueshmërinë e këtij operacioni. "Punonjësi i policisë është shkarkuar menjëherë pasi kam kontaktuar me drejtorin e policisë së Stambollit. Ne po punojmë ngushtësisht për të hetuar lidhur me trafikun e lëndëve narkotike", u shpreh Premçi. Altin Murra i diplomuar në Akademinë e Policisë në Turqi u arrestua dje bashkë me dy shtetas të tjerë, njeri shofer i maunës ku ishte fshehur droga dhe tjetri biznesmen.
Rreth 200 kilogram drogë e llojit heroinë u kap në maunën ku ndodhej edhe nënkomisari Murra. "Oficeri kishte marrë lejen e zakontë për të kryer një vizitë mjekësore në Turqi", u shpreh Premçi pas ceremonisë së largimit nga misioni ICITAP, i Darel Hart.
k.k/NOA