English

Presidenti dekoron kreun e ICITAP, me "Medaljen e Mirënjohjes"

Tiranë, 9 qershor NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot me Medaljen e Mirënjohjes Darrel Hart.

Motivacioni për z. Hart është, "Për vlerat dhe kontributin e tij në drejtimin e Misionit ICITAP në Shqipëri në periudhën 2006-2009 dhe për cilësinë e lartë të asistencës, duke ndikuar direkt në rritjen e standardeve të Policisë së Shtetit".

Presidenti Topi zhvilloi me z. Hart dhe të ftuarit e tjerë në mjediset e Pallatit të Brigadave një bisedë të ngrohtë e miqësore.

Biseda u përqendrua në zhvillimet më aktuale në Shqipëri, ku një vëmendje e posaçme iu kushtua ecurisë së procesit zgjedhor në vend.

Në këtë kontekst u vlerësua nga bashkëbiseduesit se Policia e Shtetit do të ketë një rol vendimtar në ruajtjen e klimës zgjedhore dhe në mbarëvajtjen e këtij procesi elektoral, që për vendin tonë mbart një rëndësi të madhe, në kuadër të integrimit euroatlantik.

Në ceremoni ishin të pranishëm Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Dr. Xhon L. Uithers II, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, drejtues të lartë të Policisë dhe të Misionit ICITAP, anëtarë të Kabinetit të Presidentit, etj.

Z. Hart vlerësoi progresin e bërë dhe reformat e kryera në strukturat e Policisë së Shtetit vitet e fundit duke e falënderuar Kryetarin e Shtetit për nderimin dhe shprehu bindjen në vijim e bashkëpunimit me strukturat e shtetit shqiptar edhe në të ardhmen.

"Mundësia që m'u dha personalisht dhe profesionalisht, si për mua ashtu edhe për familjen time të jetoj në Shqipëri ka qenë një përvojë e veçantë jetësore, të cilën do ta ruajmë deri në fund të jetës sonë", - tha z.Hart.

Kurse shtoi: "Nuk ma priste mendja kur vizitova për herë të parë Tiranën në 1995 se sot, pas kaq e kaq vitesh do të gjendesha këtu pasi kisha përjetuar këtë zhvillim të jashtëzakonshëm të popullit tuaj, për të cilin Shqipëria duhet të jetë shumë krenare. Edhe një herë ndihem i nderuar që jam pjesë e këtij zhvillimi".

e.l/NOA
KOMENTE