English

Probleme me diplomacinë e Maqedonisë, pa ambasador në Bullgari e Kosovë

Shkup, 9 qershor, NOA - Diplomacia dhe politika e jashtme e Maqedonisë në raport me fqinjët vazhdon të çaloj dhe të mos funksionoj ashtu si duhet. Ka kaluar një kohë e gjatë që Maqedonia nuk ka ambasador në Bullgari dhe Kosovë.

Shkupi vitin e kaluar e ka njohur Kosovën, mirëpo akoma nuk ka vendosur marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadash, njofton agjencia e lajmeve INA. Ky shtet para disa ditëve nuk kishte ambasador as në Serbi. Ndërkaq, sipas ekspertëve të politikës së jashtme situata është e paqartë edhe me përfaqësinë diplomatike në Athinë ku ambasadorit Bllagoja Hanxhiski edhe pse i ka skaduar mandati, me kërkesë të MPJ-së i është vazhduar.

Përfaqësues të komuniteti ndërkombëtar theksojnë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike është në dobi të fqinjësisë së mirë dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal si dhe ndihmon paqen dhe stabilitetin në rajon. Bashkësia ndërkombëtare apelon që Maqedonia sa më shpejtë ti zgjidhë çështjet e hapura me fqinjët.

Ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Furere ka bërë thirrje që Prishtina dhe Shkupi të tejkalojnë çështjet që mund të pengojnë thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, që do të sjellë përfitime për qytetarët e të dyja vendeve. "Ne mirëpresim përfundimin e çështjeve që kanë mbetur të papërfunduar, siç janë shënimi i vijës kufitare dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike", tha ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere.

Edhe ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Filip Riker disa herë ka theksuar nevojën e zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë dhe përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje. Përfaqësues të Departamentit të Shtetit kanë deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me Maqedoninë dhe Greqinë për t'i inkurajuar të dyja palët të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për çështjen e emrit sepse kjo do të ishte në interes jo vetëm të rajonit por edhe të Shteteve të Bashkuara.

NOA-INA

KOMENTE